Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve në vend, këtë të shtunë, maj, të cilat hynë në fuqi nga ora 16:00.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e radhës, çmimi i shitjes me pakicë për naftën nuk duhet të kalojë 206 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë është përcaktuar maksimalisht në 194 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 184 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 172 lekë për litër.
Bordi bën me dije se këto çmime do të jenë në fuqi deri në një vendim të ri, që do të merret në mbledhjen e ardhshme, ku pritet të reflektohen ndryshimet e mundshme të tregut.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës që të zbatojnë me rigorozitet këtë vendim. Në rast shkeljesh, paralajmërohet pezullimi i aktivitetit për subjektet që nuk respektojnë çmimet e përcaktuara.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson angazhimin për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.


