Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke tërhequr vëmendjen e aktorëve kryesorë të këtij sektori. Eksperti i turizmit, Isa Krasniqi, në një intervistë për emisionin “Money Report” në ABC News, vlerësoi zhvillimet pozitive, duke theksuar se “çdo marketing për Shqipërinë ja vlen” dhe se ky sezon pritet të jetë ndër më të mirët.
Sipas tij, turistët nga vende si Spanja dhe Gjermania tashmë kanë filluar të mbërrijnë me paketa të mbyllura, duke treguar për një turizëm gjithnjë e më të organizuar dhe konkurrues.
Megjithatë, ai ngriti shqetësime për abuzimet me çmimet në disa zona bregdetare si Vlora dhe Saranda, ndërsa theksoi nevojën për zhvillimin e një turizmi elitar dhe për ndarjen strategjike të vendit në zona turistike me qëllim rritjen e mëtejshme të cilësisë dhe ofertës.
“Çdo marketing për Shqipërinë ja vlen. Ky sezon do të jetë shumë i mirë. Tashmë fillojnë turistët nga Spanja dhe Gjermania që kanë paketa të mbyllura. Një turizëm i mirë dhe i mirëorganizuara. Shqipëria ka filluar që të thithë vende të tjera, që e shikojnë vendin tonë si një vend të denjë për të bërë pushime, edhe për shkak të e për shkak të çmimeve.
Por, kemi dhe abuzime me çmime, Vlora dhe Saranda kanë qenë më problematike, por jo aq sa në krahasim me vendet e huaja. Turistët më të paktë kanë qenë qytetarët nga Kosova dhe Turqia, kjo dhe për shkak të vizave. Turqia ka pasur problemet e veta jo se ka qenë Shqipëria problemi. Problemi në Shqipëri është se në nuk kemi arritur akoma një turizëm elitar, kemi një turizëm cilësor por jo elitar. Jemi një vend që ofrojmë të gjitha shërbime, por jo ato që ofron turizmi elitar. Po shkojmë drejt këtij turizmi, por do të na duhen edhe disa vite.
Këtë vit ka pasur edhe një risi në turizmin e Shqipërisë, pasi është zgjedhur si vend edhe për dasma. Është bërë një modë kohët e fundit. Mirë është që Shqipëria është që të ecë duke “kopjuar” vendet që janë mirë në turizëm, nuk është mirë që ne të kënaqemi me kaq sa kemi. Mirë është që të ndahet Shqipëria në disa seksione në mënyrë që të zhvillohet sa më shumë turizmi. Turizmi është një sektor që ndihmon promovimin dhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe në rrugën drejt Bashkimit Europian”, tha eksperti./abcnews.al


