Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Media kanadeze: Shqipëria, sekreti i Ballkanit

schedule11:26 - 7 Tetor, 2026

schedule 11:26 - 7 Tetor, 2026

Në mesin e destinacioneve që ofrojnë mundësi tërheqëse për udhëtime me një buxhet ekonomik, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë.

Me plazhet e Rivierës Shqiptare, qytetet dhe sitet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, peizazhet natyrore dhe mikpritjen e njohur, vendi ofron mundësi të ndryshme për pushime dhe eksplorim me një raport të favorshëm mes kostos dhe cilësisë, shkruan Marie-Ève Leclerc në një artikull të botuar në median kanadeze të udhëtimeve “Milesopedia”.

Nga Meksika autentike deri te Shqipëria, e cila paraqitet si një prej destinacioneve më pak të eksploruara, autorja ka vizituar gjashte vende dhe ndan këshillat e saj për mënyrën se si ato mund të shijohen me kosto minimale, madje në disa raste edhe pa pagesë.



Në një kohë kur destinacionet tradicionale po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme, disa vende vazhdojnë të ofrojnë mundësi tërheqëse për turistët që përdorin dollarin kanadez.

Duke u mbështetur në përvojën e saj të udhëtimeve dhe qëndrimeve në vende ku kostoja e jetesës është më e ulët se në Kanada, autorja rekomandon disa destinacione ku mund të përjetohen eksperienca të paharrueshme me një raport të mirë cilësi–çmim.

Shqipëria: Sekreti i Ballkanit

Shqipëria po shfaqet si një destinacion që ofron një raport të shkëlqyer cilësi-çmim, me plazhet e Rivierës, sitet e UNESCO-s dhe mikpritjen e saj të njohur.

Pasi kaloi një javë të plotë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, duke punuar në distancë, autorja vendosi të rikthehej për të zbuluar mrekullitë natyrore të vendit.

Ajo pati mundësinë të bënte një ekskursion njëditor në liqenin e Bovillës, të cilin e rekomandon shumë dhe që i kushtoi vetëm 28 euro.

Nëse do të kishte pasur më shumë kohë, do të kishte vizituar gjithashtu qytetin e Beratit, i cili është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ja disa nga thesaret e tjera që mund të zbulohen në Shqipëri:

Riviera Shqiptare nis në Vlorë dhe shtrihet deri në Sarandë, duke ofruar plazhe me ujëra të kristalta, veçanërisht në Ksamil, ku një ditë në plazh, me çadër dhe shezlongë, kushton vetëm rreth 10 dollarë kanadezë.

Qyteti antik i Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dëshmon për 2500 vjet histori dhe mund të vizitohet për rreth 8 dollarë kanadezë.

Më në veri, rajoni malor i Thethit ofron mundësi për ecje dhe eksplorime spektakolare, veçanërisht drejt Syrit të Kaltër dhe Ujëvarës së Grunasit, ndërsa bujtinat tradicionale ofrojnë qëndrim me ushqim të plotë për rreth 35 dollarë kanadezë në ditë.

Në bregdetin e detit Jon, Plazhi i Gjipesë, ku mund të arrihet pas një ecjeje të shkurtër, mbetet një nga sekretet e fundit të ruajtura mirë të Evropës.

Për një përvojë autentike, fshatrat e Rivierës Shqiptare, si Dhërmiu dhe Himara, ofrojnë apartamente me pamje nga deti për rreth 40 dollarë kanadezë nata.

Rruga panoramike e Llogorasë, me kthesat e saj të forta në formë harku që kalojnë mbi det, ofron disa nga pamjet më të bukura të Ballkanit.

Buxheti ditor:

  • Hotele butik: 25–60 dollarë kanadezë
  • Ushqime tradicionale: 10–20 dollarë kanadezë
  • Makina me qira: 25–40 dollarë kanadezë në ditë
  • Ekskursione me guidë: 20–45 dollarë kanadezë

Kursimi i parave në Shqipëri

Në Tiranë, autorja dhe kolegia e saj, Marie-Claude, e shijuan veçanërisht qëndrimin në “Tirana Marriott”.

Jashtë Tiranës, turistët duhet t’u drejtohen më tepër hoteleve të pavarura ose akomodimeve përmes “Airbnb”, ku është e mundur të gjendet një raport shumë i mirë cilësi-çmim.

Shqipëria është shumë mirë e lidhur me pjesën tjetër të Evropës, por ka shumë më pak lidhje direkte me pjesën tjetër të botës, nëse flasim për fluturimet pa ndalesë.

Megjithatë, është shumë e lehtë të gjenden fluturime me çmime shumë të ulëta nga qendrat kryesore ajrore të Evropës.

Falë numrit të madh të partnerëve ajrorë, programe të tilla si “Aéroplan” dhe “Avios” të “British Airways Club” e bëjnë të lehtë udhëtimin nga Kanadaja drejt Tiranës, duke përfshirë një ndalesë gjatë rrugës.

Edhe ofertat promocionale të “Flying Blue” janë një mundësi që duhet marrë në konsideratë për të udhëtuar drejt Evropës pa shpenzuar shumë.

Në këtë mënyrë, turistët mund të përfitojnë për të vizituar një destinacion të dytë gjatë rrugës për në Shqipëri ose gjatë kthimit.

Kjo është pikërisht ajo që bëri autorja. Ajo rezervoi një fluturim direkt Montreal–Athinë, në klasën ekonomike, dhe më pas përmes një rezervimi të veçantë, një fluturim nga Athina në Tiranë.

Ndër destinacionet e tjera të renditura nga media kanadeze e udhëtimeve “Milesopedia”, përfshihen Kolumbia, Meksika, Brazili, Maroku, Guatemala, të cilat paraqiten si alternativa ideale për turistët, që kërkojnë të zbulojnë vende të ndryshme me një raport të shkëlqyer cilësi-çmim./ATSH

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!