Biden: Reagim i ashpër ndaj çdo lëvizjeje të trupave ruse në Ukrainë

schedule17:15 - 21 Janar, 2022

schedule 17:15 - 21 Janar, 2022

Presidenti Joe Biden u përpoq të sqarojë keqkuptimet rreth komenteve të tij se “një ndërhyrje e vogël” nga Rusia në Ukraninë, do të merrte një përgjigje më të reduktuar. Ai tha se ia ka bërë shumë të qartë Presidentit rus Vladimir Putin, se çdo lëvizje e trupave ruse përtej kufirit, do të trajtohet si një pushtim, e do të pëballej me pasoja të rënda. Korrespondentja e ‘Zërit të Amerikës’ Cindy Saine, njofton.
Në një kohë kur Ukraina po përgatitet për një pushtim të mundshëm rus, Presidenti Joe Biden tha të enjten se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është plotësisht i vetëdijshëm për pasojat.

“Kam qenë absolutisht i qartë me Presidentin Putin dhe për të nuk ka asnjë mëdyshje. Nëse qoftë dhe një njësi (ushtarake) ruse kalon kufirin dhe hyn në Ukrainë, do të konsiderohej si pushtim e do të përballej me një përgjigje të ashpër e të koordinuar ekonomike, e diskutuar në detaje me aleatët tanë, si dhe e paraqitur shumë qartë për Presidentin Putin”.

Presidenti Biden ngriti shumë pikëpyetje gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, kur tha se një “inkursion i vogël” rus në Ukrainë mund të shkaktonte debat mes aleatëve të NATO-s mbi mënyrën se si duhet të përgjigjeshin. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, reagoi në Twitter ndaj komentit të Presidentit Biden, duke thënë se “nuk ka kombe të vogla dhe as inkursione të vogla”.

Michael Kimmage i Fondit gjerman ‘Marshall’ i tha ‘Zërit të Amerikës’ se ai nuk e konsideron komentin spontan të Presidentit Biden si të dëmshëm, pasi sipas tij mesazhi i përgjithshëm i udhëheqësit amerikan për Presidentin Putin, ka qenë shumë i qartë.

“Mendoj se ajo që Presidenti Biden po përpiqej të thoshte, është se do të ketë një përgjigje të kalibruar në raport me ashpërsinë e çdo lëvizjeje nga ana e Rusisë, çka mendoj se është e logjikshme”, thotë ai.

Në Berlin, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë dhe gjatë një fjalimi të mbajtur të enjten ai theksoi rreziqet e larta që paraqet një pushtim i mundshëm rus .

Diplomati i lartë amerikan tha se një pushtim rus do të shkelte parimet e mbajtura prej kohësh të sovranitetit dhe integritetit territorial, duke shkaktuar një luftë të madhe në Evropë, që ka të ngjarë të shkaktonte me dhjetëra mijëra viktima.

“Të lejosh Rusinë të shkelë këto parime pa u ndëshkuar, do të na fuste të gjithëve në kohëra shumë më të rrezikshme e të paqëndrueshme, si atëherë kur ky kontinent dhe ky qytet ishte i ndarë në dysh, e patrullohej nga ushtarë nën kërcënimin e një lufte të furishme që qëndronte mbi kokat e të gjithëve. Do të dërgonte gjithashtu një mesazh për mbarë botën, se këto parime janë të pavlera e mund të sakrifikohen. Kjo do të kishte rezultate katastrofike”, tha ai.

Në një kohë kur Perëndimi ka hedhur poshtë kërkesën e Rusisë për të ofruar garanci se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO, analistët thonë se ka shumë çështje sigurie për t’u diskutuar.

“Ka disa gjëra që nuk janë në tavolinë, por ka disa gjëra si dislokimi i raketave në Evropë, si stërvitjet ushtarake nga të dyja palët, si dislokimet e raketave nga NATO ashtu dhe Rusia, stërvitjet ushtarake nga NATO, dhe nga Rusia, këto janë çështje që mund të diskutohen. Dhe nëse Presidenti Putin dëshiron të ulet, të kërkojë një zgjidhje jo të dhunshme, këto janë në tavolinë”, thotë William Taylor, i Institutit amerikan për Paqe.

Rusia publikoi pamje filmike të forcave të saj ushtarake duke kryer stërvitje pranë kufirit me Ukrainën. Ekspertët thonë se Moska ka të ngjarë të pendohet nëse e pushton këtë vend, pasi ajo mund të kthehej në një luftë të gjatë e të kushtueshme./VOA