Besimtarët myslimanë falën sot Fitër Bajramin

schedule08:43 - 15 Qershor, 2018

schedule 08:43 - 15 Qershor, 2018

Besimtarët mysliman në të gjithë botën festojnë sot Fitër Bajramin. Në Tiranë, ata u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku falën Namazin e ndanë mesazhe paqe e solidariteti.

Muajin e sakrificës edhe këtë vit besimtarët myslimanë në Tiranë e mbyllën në shesh. Xhamia e Namazgjasë ende nuk ka përfunduar, sheshi “Skënderbej” është kthyer në një hapësirë që i dedikohet futbollit, e besimtarët u rikthyen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Festa e Fiter Bajramit i mblodhi bashkë që në orën gjashtë të mëngjesit. Falën namazin që për çdo besimtar është detyrim në këtë ditë të madhe, që simbolizon solidaritetin me njëri-tjetrin, të varfërin e të pamundurin.

Bajrami është shprehja e vëllazërisë për gjithkënd deklaroi Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Koha kur i japim kuptim të sotmes e ndërtojmë shpresën për një të ardhme të ndritur. Ai apeloi për shkëputje nga egoizmi e hipokrizia, për falje e mëshirë.

“Të dashur bashkëatdhetarë le të jetë ky Bajram, Bajrami i sinqeritetit. Le të reflektojmë sa të sinqertë jemi në raport me Krijuesin e Gjithësisë, në raport me protshmëritë që kemi ndaj vetes, në raport me gjithë ata njerëz që na vlerësojnë. ”

Mesazhe bashkimi dha edhe Myftiu i Tiranës. Thirrja e tij ishte për të kundërshtuar ekstremizmin dhe për të mos u pajtuar me islamofobinë.

“Mos qëndroni larg nga njëri-tjetri, mos braktisni njëri-tjetrin, mbështesni njëri-tjetrin. Mos u pjatoni asnjëherë me mortajën e islamofobisë, e  të shikuarit vëngër myslimanët dhe mysliamnet kudo që jetojnë, kudo që e praktikojnë besimin e tyre”.

Pas ndarjes së ndihmës për të varfërit, faljes së mëngjesit, besimtarët myslimanë e vijojnë ditën e Bajramit me një drekë të bollshme dhe e mbyllin me vizita tek të afërmit.