Avokati Rezart Kthupi, i ftuar në emisionin “Real Story”, deklaroi se dhuna në protestën e 8 majit është mjeti i vetëm i Sali Berishës për të thyer izolimin ndërkombëtar.
Sipas tij, opozita po tenton të gjejë një gjuhë komunikimi me europianët përmes tensioneve, pasi aktualisht nuk përfillet nga faktorët e huaj. Kthupi theksoi se tetë protestat e fundit kombëtare nuk kanë prodhuar asgjë në interes të popullit, përveç akteve të dhunshme të qëllimshme.
Ai argumentoi se qëllimi i këtyre tubimeve mbetet krijimi i skenave të dhunës për sa kohë kauza e tyre mbetet e papërfillshme. Në analizën e tij, kjo strategji tregon dëshpërimin e një lidershipi që kërkon vëmendje me çdo kusht.
“Unë mendoj që problemi i Berishës është pak më i thellë, prej kohësh tenton që të gjejë një gjuhë komunikimi dhe europianët. Berisha vetëm nëpërmjet dhunës pretendon që të hapë dritaren e komunikimit.
Për të dalë nga izolimi ai përdor dhunën, një opozitë e dhunshme. Berishën nuk e përfill askush ndërkombëtarësh. E vetmja gjë që kanë prodhuar tetë prostatat kombëtare të Berishës është vetëm dhuna, nuk ka pasur asnjë gjë në sensin e popullit. Ky është qëllimi, që të jemi të gatshëm të kemi një protestë të dhunshme për aq kohë sa ajo është e papërfillshme”, tha avokati.


