“Bashkëpunoj me çdo shqiptar veç Berishës e Metës”, Rama: Dakord me Kim e Kishën për shit-blerjen e votës

schedule19:17 - 15 Prill, 2021

schedule 19:17 - 15 Prill, 2021

Kryeministri Edi Rama, në një takim me qytetarët në Shkodër përsëriti edhe një herë që është i gatshëm që të bashkëpunojë me liderin demokrat Lulzim Basha. Por, Rama shtoi se është gati të bashkëpunojë me çdo shqiptar që nuk është ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Ilir Meta.

Kreu i qeverisë shtoi se Basha nuk pranoi ftesën e tij pasi kushti i tij ishte që “të largohet nga Berisha e Meta, e të bëhej për Shqipërinë.”

Gjithashtu, Rama tha se është dakord edhe me deklaratën e Kishës Katolike, e ambasadores amerikane në lidhje me shit-blerjen e votës.

 

“Unë jam gati të bashkëpunoj me çdo shqiptar  veç Sali Berishës dhe Ilir Metës. Nuk është personale fare. Sepse Saliu e Iliri janë pengmarrësit e PD-së dhe Bashës. Jam gati të bashkëpunoj me Bashën,  sepse nëse politika i lë punët e vetë, sherret e veta dhe merret me si ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit për agroturizëm, për shoqëri digjitale…Kjo është forca e bashkimit, politika për këtë është kriju..”

Gjithashtu, kryesocialisti e quajti rivalin e tij një kukull në duart e Berishës dhe Metës.

“S’ka lidhje me zgjedhjet, po vullnetin për t’i dhënë politikës një fuqi më të madhe për të bërë për njerëzit. Sigurisht që thotë Luli jo, se unë kisha një kusht që të ndahet nga ata e të bëhet për Shqipërinë. Është kukull me bateri, bateritë i ka Berisha e Meta. Një kukull që mund të jetë edhe Spiderman edhe Barbie. Varet si e kurdis…”

Sa i përket deklaratës së Kishës Katolike Shqiptare për shit-blerjen e votës dhe mbështetjen e saj nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, Rama tha se është dakord që të shesësh apo blesh votën është mëkat.

“Jam shumë dakord me qeverinë amerikane dhe përfaqësuesen këtu, edhe ata të Kishës Katolike që adresuan një plagë të madhe këtu në Shkodër, shitjen-blerjen e votës. Jam dakord që të shesësh votën është mëkat, ta blesh është mëkat. Jam po kaq dakord që këto zgjedhje duhet të jenë ku njerëzit të mendojnë jo sa do marr nga vota, po çfarë vote do të jap për fëmijët e mi.” sb/abcnews.al/