Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Zjarret në vend/ Mbrojtja: 8 vatra aktive, 4 helikopterë dhe 2 avionë në luftë me flakët

schedule09:20 - 15 Gusht, 2026

schedule 09:20 - 15 Gusht, 2026

Të paktën 35 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në vend, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Ministria e Mbrojtjes njofton se në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse.

Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht, në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të FA-së, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Dajt, Tiranë, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Në terren janë angazhuar 50 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë. Sipas autoriteteve, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e 30 forcave të MZSH-së me 6 mjete ka bërë të mundur vendosjen e situatës nën kontroll.



Në Krujë, vijon puna për shuarjen e vatrave në Abaze dhe Zidoll. Ndërhyrjet nga toka, të mbështetura gjatë ditës së djeshme edhe nga ajri, kanë ndihmuar në përmirësimin e situatës. Në Zidoll po punohet për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.

Një nga operacionet kryesore vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e flakëve drejt zonave të banuara. Operacioni po vijon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së, 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji.

Në Qafë Helmes, në aksin Bulqizë-Selishtë, operacioni vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë, autoritetet raportojnë se nuk ka rrezik për banesat.

Ndërkohë, në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit.

Situata paraqitet e përmirësuar në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, ku vatrat e zjarrit janë shuar plotësisht falë ndërhyrjes së forcave operacionale.

Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave, si dhe izolimin dhe shuarjen sa më shpejt të vatrave aktive.   / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!