Situata e zjarreve në Krujë paraqitet e normalizuar në të gjitha zonat e shfaqura si problematike gjatë ditëve të fundit.
Në lagjen Abaze, ku zjarri u shfaq fillimisht të shtunën e kaluar dhe më pas u përhap në rrethinat e qytetit, vatrat janë izoluar plotësisht. Gjatë pasdites së djeshme, mjetet zjarrfikëse dhe helikopterët ndërhynë për shuarjen e zjarrit, ndërsa sot situata paraqitet e qetë.
Një vatër zjarri u evidentua edhe në Zidoll, pranë fshatit Halilaj. Ajo ishte aktive gjatë pasdites së djeshme, por u shua gjatë natës falë ndërhyrjes së mjeteve zjarrfikëse.
Ndërkohë, në Bojë, pranë kurorës së pishave, vijojnë të jenë aktive dy vatra të vogla. Forcat ushtarake dhe strukturat e emergjencave civile po punojnë për mbajtjen e tyre nën kontroll. Sipas informacioneve, të dyja vatrat janë drejt izolimit të plotë.
Gjatë javës së fundit, në disa zona të Krujës janë shfaqur vatra zjarri, duke krijuar situata shqetësuese për banorët dhe strukturat e emergjencave. Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, forcave ushtarake, emergjencave civile dhe strukturave të tjera të angazhuara, situata është mbajtur nën kontroll dhe rreziku për përhapjen e flakëve është minimizuar. / abcnews.al /


