Basha: Rama-Xhafaj-Marku kanë paracaktuar rezultatet e hetimit për Agron Xhafën

schedule15:40 - 7 Qershor, 2018

schedule 15:40 - 7 Qershor, 2018

Edhe pse paralajmëron dështimin e tij me turp, kreu demokrat, Lulzim Basha, drejton gishtin e akuzës nga kryeministri Edi Rama, si orkestrues i nje skenari kriminal për mbrojtjen e ministrit Fatmir Xhafaj përmes paracaktimit të rezultatit final të hetimit ndaj vëllait të tij Agron Xhafaj, përmes korruptimit të procesit të ekspertimit të materialit audio, të bërë publik nga demokratët më 14 Maj.

Lulzim Basha: “ Të dhënat tona të besueshme , të konfirmuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë, konfirmojnë se Rama, Xhafaj, Marku, Prela kanë paracaktuar përfundimin e hetimit. Ashtu si Rama ka paralajmëruar që 24 orëshin e parë, ky audiopërgjim është paracaktuar të shpallet joautentik”.

Fillimisht ishte prokuroria, ajo e cila përgatiti terrenin, dhe kjo, shpjegon Basha,  si kurrë më parë nuk i mori më shumë se 24 orë.

Lulzim Basha: “Prokuroria ka pranuar monstrat. Në një rekord të paktën në këto vite, brenda natës 15 Maj, Prokuroria e Tiranës regjistroi kallëzimin penal për Agron Xhafajn, hodhi shortin për prokurorin. Prokurori shqyrtoi materialet, vendosi të regjistrojë procedim ndaj denoncuesve, vendosi të marrë në pyetje jo Agronin, por dëshmitarin Albert Veliu pa u bërë publik identiteti i tij. Prokurori vendosi ekspertët, të pranojë monstrat e zërit të marra në kushtet ë panjohura dhe transferimin e çështjes tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Largimi i Agron Xhafajt pa guxuar ta marrin në pyetje prokurorët dhe pa e ballafaquar me dëshmitë dhe dëshmitarët është provë e rëndë e këtij skenari”.

Vetëm pasi Agron Xhafaj, vëllai i ministrit u largua drejt Italisë Prokuroria e Krimeve të Rënda, regjistroi kallëzim penal ndaj tij. Edhe këtë jo për ta çuar deri në fund hetimin, akuzon Basha, por për ta administruar atë ilegalisht, sipas paracaktimit të urdhëruar nga treshja Rama-Xhafaj-Marku.

Lulzim Basha: “Dërgoi për ekspertizë materialet atje ku i urdhëroi Rama duke mos e zgjedhur ajo laboratorin dhe duke mos përdorur precedentët e mëparshëm. Nuk guxoi të verifikonte tabulatet telefonike të Agronit për të parë nëse ishin bashkë. Nuk nisi kurrë hetim pasuror ndaj Fatmirit dhe Agronit si e do ligji antimafia”.

Për këto dhe të tjera arsye për opozitën minimalisht diçka është e qartë.

Lulzim Basha: “Pa u larguar Fatmiri nuk do të këtë dhe nuk mund të ketë hetim ndaj Fatmirit dhe vëllait të tij dhe hetim pasuror si e kërkon ligji. S’mund të ketë luftë reale ndaj trafikut të drogës si kusht i Europës, sa kohë vëllai i ministrit është drejtues i nëjrit prej tyre”.

Ashtu si ka urdhëruar Edi Rama, audiopërgjimi do të vlerësohet jo autentik, trafiku i drogës do konsiderohet trafik bananesh, Agron Xhafaj do të shpallet qytetar nderi dhe Fatmir Xhafaj ministër kampion për luftën kundër trafikut të drogës, përfundon kreu demokrat Lulzim Basha, teksa paralajmëron këdo të përfshirë në këtë histori se do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit pasi e vërteta është përpara çdo shqiptari./abcnews.al