Basha: Po bëhet presion politik për mbylljen e çështjes “Tahiri”

schedule14:40 - 17 Mars, 2018

schedule 14:40 - 17 Mars, 2018

Kërkojnë drejtësi, por jo selektive.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shpreson dhe uron që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm, por mbi të gjitha drejtësia nuk duhet të drejtohet nga asnjë krah politik dhe për këtë i referohet edhe akuzave që kanë bërë ndaj disa kryebashkiakëve dhe ministrave të qeverisë.

Lulzim Basha: “Qëndrimi im dhe i Partisë Demokratike është i pandryshuar, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, nga qytetarët e thjeshtë tek politikanët më të lartë. Por ne kërkojmë që hetimi të jetë transparent, të jetë jopolitik dhe i paanshëm”.

Pas kësaj deklarate kreu demokrat u nis drejt Lezhës për t’u takuar me bazën.
Të njëjtën kërkesë i drejton Prokurorisë që të bëjë punën e saj për të hetuar grupin kriminal “Habilaj-Tahiri” dhe të gjithë policët dhe bashkëpunëtorët e tjerë politikë dhe jopolitikë të këtij grup.

Lulzim Basha: “Duhet ta bëjë në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar. Po bëhet presion shumë i madh politik për të mbyllur çështjen “Tahiri”.

Bashkë me anëtarët e Komisionit Hetimor për çështjen “Tahiri” kanë kryer konsultën e parë që i paraprin takimit të parë të Komisionit Hetimor ditën e hënë.

Lulzim Basha: “Qëllimi i Komisionit Hetimor është të zbardhë çfarë ndodhi dhe pse ndodhi, për të mos lejuar kurrë më që shteti të kapet nga krimi dhe të kthehet në zgjatim të trafikantëve të drogës dhe të grupeve kriminale të krimit të organizuar”.

Pretendimet e demokratëve mbi hetimin nga komisioni kanë të bëjnë me mos reagimin e qeverisë ndaj përfshirjes së Tahirit në çështjet e drogës dhe mburojës që pati ish-ministri i Brendshëm nga Policia e Shtetit./abcnews.al