Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se vendi ndodhet përballë një realiteti ku drejtësia nuk po vepron siç duhet, ndërsa theksoi se Prokuroria e Posaçme nuk ka hetuar zyrtarët e lartë.
Ai deklaroi se shumë çështje janë lënë pezull për dekada dhe rrezikojnë të zvarriten edhe më tej, duke e cilësuar drejtësinë e re si një dështim në zbardhjen e ngjarjeve të rëndësishme.
Karanxha ndaloi edhe te çështja e “21 Janarit”, për të cilën kërkoi që SPAK të përcaktojë qartë rolin e secilit, ndërsa përmendi edhe pretendime për ndikime të paligjshme në proceset hetimore.
Sipas tij, mënyra si janë trajtuar këto dosje ka ndikuar negativisht në besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
“Jemi para një fakti të gjallë, që personi po drejtësi. Prokuroria e Posaçme nuk ka hetuar zyrtarët e lartë. Ne konstatojmë çështje që janë lënë për dekada, madje rrezikon që të shkojë për shekuj. Drejtësia e re ka dështuar për zbardhjen e këtyre ngjarjeve.
Ka pasur ndikime të paligjshme. Lulzim Basha ka shkuar tek Bamir Topi që të ndikonte te Ina Rama, për “21 Janarin”. Libri i Bamir Topit është një dëshmi. Ai e shikon në libër dhe ne rrimë. Është SPAK ai që do e zbardhë çështjet. Duhet të përcaktojnë qartë rolin e çdo kujt në çështjen e ’21 Janarit’. Më vjen keq ta them, por është një dështim total.
Ndërkohë që burgjet janë mbushur plot me persona që janë pa vendim gjykate. Qëllimet e reformën në drejtësi na i tha Soros që në fillim. Mentaliteti sot ka dhënë rezultatin e kundërt. Drejtësia ka dështuar. Ata që kanë shkatërruar dosjen e “21 Janarit” janë të promovuar. Arsyeja e reformës në drejtësi, duket se ka pasur vetëm një qëllim, promovimin e vetes”, u shpreh ish-prokurori.


