Basha e shkarkoi, Flamur Noka për ABC: Është në panik, vendimi i fundit që merr në krye të PD-së

schedule22:40 - 11 Tetor, 2021

schedule 22:40 - 11 Tetor, 2021

Deputeti demokrat Flamur Noka ka reaguar menjëherë pas shkarkimit të tij nga posti i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, me vendim të kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

Në një lidhje telefonike për emisionin “Log.” në ABC, Noka ka thënë se me këtë vendim Basha ka treguar se është në panik dhe nuk ka asnjë lidhje me parashikimet në statutin e PD-së.

Sipas Nokës, Basha e ka përjashtuar për shkak se nuk pranon zërat kundër tij dhe personat që nuk bëjnë kompromise. Më tej Noka në reagimin e tij për ABC, ka shtuar se Basha ka menduar se me përjashtimin e tij do t’i ketë më të lehta mbledhjet në PD.

“Me vendime të tilla, pasi nuk guxon të përballet me fjalën e lirë. Me mendimin ndryshe, është një autokrat në miniaturë. Tregoi që është peng që merr urdhra nga ai që e ka marrë peng. Më shumë se kush do tjetër Edi Ramës I është kthyer në shqetësim Flamur Noka aty dhe e kryen Basha atë që nuk kryen Rama. Jam demokrat që në fillimet e saj në PD. Kam kaluar në atë parti etapat.”

“Basha ka qenë njeri që fshihej pas të tjerëve dhe gjithmonë është mësuar me teorinë hidh gurin e fsheh dorën të njëjtën gjë ka bërë edhe sot. Është vendim I turpshëm antistatuor.”

“Basha është në panik me këtë vendim tregon se e ka mbërthyer keq paniku. Ka vetëm një rruge ai e di. Ikja nga PD, se po e mban peng. Jam një nga zërat brenda atij grupi që nuk bëjë kompromis me parimet që është ndërtuar PD. Me vlerat që përfaqëson anëtarësia e saj. Por ai nuk i duron dot këto dhe pa më të voglin diskutim merr vendime të tilla anti statuore thjeshtë për ti lehtësuar mbledhjet se ai është mësuar të bëjë monolog se nuk pranon kurrë dialog. Nuk di të prandaj ky vendim dhe alternativa ndryshe. Nuk është mësuar kurrë të debatojë” tha Noka.

Kujtojmë se Basha ka paralajmëruar Nokën edhe për përjashtim nga grupi Parlamentar i PD-së.

Ndërkohë në argumentimin që Basha bëri për shkarkimin e Nokës thuhej se ky i fundit po shndërron mbledhjen e Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike.

Por Noka i ka hedhur poshtë këto akuza duke thënë se I vetmi që shpif në PD është vetë Basha.

“Po ju them që ai që shpif është zoti Basha. Unë në mbledhje e kryesisë së Grupit kam kërkuar vazhdimisht që të mbahet protokoll dhe regjistrim digjital i diskutimit apo në mënyrë të shkruar. Se duhen gjurmë se është moment që fatet e PD-së janë në rrezik si pasojë e Bashës. Ai po shuan zërin e opozitës, po e kthen opozitën në atë që ka ëndërruar nga Rama. Kam kolegë dëshmitarë ku kam kërkuar të jap dorëheqje.” tha Noka.

Më tej deputeti Demokrat i rreshtuar në krah të Sali Berishës, ka hedhur akuza se Basha po bën presion delegatëve që të mos firmosin formularin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

“I ka thënë që PD nuk mund të jetë peng i tij. Kam dëshmitarë kur unë i kam thënë që është e vetmja rrugë që të iki. Të mos bëjë presion delegatëve për firmosjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. I kam kërkuar se çfarë u ka bërë dhe vërshoi me një lum akuzash që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë.” shtoi Noka.

Ndërkohë i pyetur nëse rrezikojnë shkarkimin edhe zërat e tjerë që janë kundër Bashës në PD, Noka ka thënë se askush nuk rrezikohet pasi sipas tij ky do të jetë vendimin i fundit i Bashës në krye të kësaj partie.

“ Të siguroj që askush nuk do rrezikohet se e ka marrë vendimin nën panik. Por vendimi i radhës do jetë i demokratëve për të larguar. Do arrihet shumë shpejt. Mund të jetë vendimi i fundit që merr Basha.” tha Noka. /abcnews.al/