Bardhi: Më vjen keq, nuk luajtëm mirë. Roli në mesfushë? Ia kërkova vetë Dajës

schedule20:52 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 20:52 - 4 Dhjetor, 2020

Jurgen Bardhi e pranon se plani i Partizanit nuk shkoi ashtu siç e kishte përgatitur. Derbi me Tiranën u mbyll në barazim 0-0, teksa lojtari i “Demave” analizoi duelin në prononcimin e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport.

E kam thënë gjithmonë, Partizani shkon gjithmonë për fitore në çdo ndeshje. Më vjen keq për ndeshjen që zhvilluam, nuk po shkonte manovra e profesorit ashtu siç e kishte planifikuar.

Unë, nëse e mbani mend, gjithmonë e kam shprehur se roli im i preferuar është në mesfushë. Vetë profesorit ia kam kërkuar të më vendosë aty, ndihem mirë në këtë pozicion, më pëlqen të luaj me topin dhe të jem afër portës kundërshtare. E kam treguar që ndodhem mirë në këtë pozicion.

Frikë për të mos humbur? Jo, fare. Nuk kishim presionin e humbjes, por gjërat nuk po shkonin siç e kishim planifikuar. Fusha bëri të veten, nuk po qarkullonim topin në mbrojtje, aty e marrim superioritetin.

Në ekipin tim, kam qenë i pari që kam thënë që mund të dalim kampionë. Kam pasur besim në vetvete që do bëjmë mirë. Po bëjmë lojë të bukur, bindëse dhe po kënaqemi në fushë. Nuk është një Partizan që vetëm vrapon, po luajmë një futboll të bukur.

U konsumova shumë në pjesën e parë, sepse Tirana po luante me 2 mesfushorë. Po tentoja t’i mbaja të dy, prandaj u konsumova. Rasti? Mala më bërtiti, mendova se po dilte offside, më erdhi inat që nuk e shfrytëzova mirë atë rast“, deklaron 23-vjeçari. /abcnews.al