Bannon: Qeveria e Lëvizjes me Pesë Yje dhe Legës një ndryshim epokal

schedule12:44 - 22 Maj, 2018

schedule 12:44 - 22 Maj, 2018

Ish-strategu i presidentit amerikan Donald Trump, Stiv Benon në një intervistë për mediat italiane rreth koalicionit qeverisës mes Legës dhe Lëvizjes me pesë yje, komentoi se populizmi është filozofia e vetme që përputhet me botën moderne perëndimore. Ndërsa Berluskoni sipas tij është i vetmi që ka bërë hapa para në të mirën e vendit.

Stiv Benon ish-strategu i Donald Trump, një ditë pas zgjedhjeve në Itali kishte hedhur hipotezën e një bashkëqeverisjeje mes Legës dhe Lëvizjes me Pesë Yje duke e cilësuar si skenarin më të mirë të mundshëm. Tashmë që kjo marrëveshje duket të jetë arritur, në një intervistë për mediat italiane ai e quan një ndryshim epokal për politikën në Europë. Sipas tij populizmi është e vetmja filozofi politike që përputhet me botën moderne perëndimore. Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë e tij për Legën, dhe gjatë javës pritet të vizitojë Italinë ku do të takohet me liderin e kësaj partie Mateo Salvini.

Benon shpjegon më tej bindjen e tij se pse ky koalicion qeverisës në Itali është një fenomen që i duhet Europës. Ai thekson se pas vitesh teknokraci të imponuar nga Bashkimi Europian, e vetmja zgjidhje për qeveritë jo të zgjedhura dhe larg nga populli, mund të ishte vetëm një bashkëpunim mes partive populizte të lëvizjes me Pesë Yje dhe Legës.

Sipas tij Di Maio dhe Salvini duhet të përpiqen të bëjnë sa më mirë punën e tyre në interes të vendit sidomos në fushën ekonomike dhe me politikat e emigracionit. Duke u ndalur në fushën ekonomike ai shton se euro ka prodhuar 25 vjet recession në Itali duke i lejuar Bankës Qendrore Europiane që të mbajë nën presion vendin.

Benon shprehet se zhurma që u bë para Brexit është e njëjta që po bëhet dhe tani për koalicion qeverisës në Itali. Por në fakt Brexit ka gjallëruar ekonominë britanike dhe të njëjtën gjë do të bëjë dhe Lëvizja me Pesë Yje dhe Lega me ekonominë italiane.

I pyetur për kandidatin më të mirë si kryeministër Banon nuk heziton të përmendë Berluskonin si të vetmin që ka qenë i aftë të bënte hapa para për të mirën e vendit.

Ndërsa për sa i përket premtimit të Salvinit dhe di Maios për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, dhe për të mos vendosur sanksione ndaj Iranit, ish-këshilltari i Presidentit Amerikan Tramp përgjigjet prerë: Sekretari Amerikan i shtetit Pompeo është treguar shumë i qartë: Sanksionet ndaj Iranit do të vendosen dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që dhe vendet aleate të bëjnë të njëjtën gjë. /abcnews.al