Atleti nga Etiopia harroi xhiron e fundit, humbi në mënyrë qesharake garën

schedule12:10 - 9 Korrik, 2019

schedule 12:10 - 9 Korrik, 2019

Një atlet nga Etiopia bëri një gabim qesharak në garën që po zhvillohej në Lozanë të Zvicrës. Ai e mendoi veten fitues një xhiro para fundit, dhe kjo e bëri që të humbiste.

Mund të ndodhë edhe kështu.

Atleti nga Etiopia, Hagos Gebrhiuet, po udhëhiqte bindshëm garën e 5 000 metrave në stadiumin e Lozanës, kur atij i ndodhi një e papritur e pakëndshme.

Ishte vetë 25-vjeçari që gaboi, pasi nuk e dëgjoi zilen që lajmëronte afrimin e xhiros së fundit të garës së Ligës së Diamantit, dhe mendoi se gara përfundoi dhe ai sapo fitoi.

U desh fare pak kohë që të kuptonte të vërtetën, kur shikoi ndjekësin, Jomif Kexhelça, që vazhdoi garën.

Gebrhiuet u kthye menjëherë në garë, por dëshpërimi ishte I tillë që nuk arriti ta merrte veten, duke përfunduar vetëm në vendin e 9-të.

Një zhgënjim i madh për ish-rekordmenin e botës për të rinj, që kishte shpresuar për një tjetër fitore në garën e 5 000 metrave në Ligën e Diamantit.

Përfituesi kryesor i gabimit të tij, ishte etiopiani tjetër, pikërisht Jomif Kexhelça që kaloi i pari vijën e finishit me kohën 13 minuta, 0 sekonda e 56 të mijtat.

Një sukses i madh për 21-vjeçarin, që është edhe rekordmen i garës së miljes, dhe një nga më të mirët në botë në 3 000 e 5 000 metra, por në Lozanë ishte e qartë se ai u ndihmua nga gabimi i patriotit të tij, Gebrhiuet. /ABC News Albania 24/7