Një stomatologe shqiptare po synon të bëhet zëri i radhës në një prej platformave më të mëdha radiofonike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Liridona Bunjaku ka arritur në çerekfinale të konkursit të iHeartRadio, një garë që synon t’i japë mundësinë një talenti të panjohur të prezantojë gjashtë episode të një podcasti.
Gjithçka nisi si një sfidë personale. E apasionuar pas komunikimit dhe prezantimit, Liridona vendosi të provonte veten, duke dërguar një aplikim ku prezantonte historinë dhe profesionin e saj. Ajo që nisi si një lojë me veten, shumë shpejt u kthye në një mundësi të jashtëzakonshme.
Mes rreth 20 mijë konkurrentëve, shqiptarja arriti të kalojë disa faza të përzgjedhjes, duke siguruar një vend në çerekfinale dhe duke u renditur mes kandidatëve më të spikatur të garës.
Nëse fiton, ajo dëshiron që mikrofonin ta përdorë për të treguar historinë e Kosovës dhe Shqipërisë, për zhvillimet aktuale, por edhe për të kaluarën e vështirë të Kosovës.
Prej dhjetë vitesh stomatologe, fillimisht në Kosovë dhe prej tre vitesh në Amerikë, Liridona u shpërngul përtej Atlantikut për të ndjekur dashurinë, pasi bashkëshorti jetonte atje. Sot, përveç profesionit të saj, po ndjek edhe një ëndërr të re.
Konkursi shoqërohet edhe me një çmim financiar prej 25 mijë dollarësh për fituesin, por për Liridonën kjo është mbi të gjitha mundësia për të hapur një derë të re në botën e medias. A mund të bëhet ajo shqiptarja që do të prezantojë në një prej radiove më prestigjioze amerikane? Si funksionon votimi dhe sa larg mund ta çojë kjo garë zërin e saj dhe historinë shqiptare në Amerikë?


