Shtatë nxënëse kanë denoncuar mësuesin e tyre të edukimit fizik për ngacmim seksual në ambientet e shkollës. Pas kallëzimeve, policia ka ndaluar 35-vjeçarin, banues në Vlorë, i cili jepte mësim në shkollën e bashkuar “Hajredin Beqari”, në Selenicë.
Sipas policisë, vajzat, të moshave 14 deri në 17 vjeç, kanë pretenduar se janë ngacmuar seksualisht nga mësuesi. Denoncimet janë bërë nga vetë nxënëset dhe prindërit e tyre, të cilët fillimisht kanë vënë në dijeni drejtuesit e shkollës dhe Zyrën Arsimore.
Njëra prej vajzave në kallëzimin e saj thotë se disponon edhe mesazhe të dërguara nga mësuesi, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për fotografi të nxënëseve që ai dyshohet se mbante në ambientet e shkollës. Këto pretendime pritet të verifikohen gjatë hetimit.
35-vjeçari është ndaluar mbrëmjen e së enjtes ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme. Deri më tani, policia nuk ka dhënë detaje të tjera mbi rastin, i cili vijon të jetë nën hetim.



