Arrestohet doganieri dhe 3 policë kufitarë në Korçë, lejonin mallra kontrabandë, 7 në kërkim

schedule10:00 - 8 Dhjetor, 2019

schedule 10:00 - 8 Dhjetor, 2019

Policia e Korçës ka finalizuar operacionin antikontrabandë i koduar “Gorica”.

Në pranga ka përfuanduar 1 doganier, 3 punonjës të Policisë Kufitare, 1 shtetas, si dhe janë shpallur në kërkim 7 të tjerë.

Personat e arrestuar akuzohen për disa vepra penale, si: “Kontrabandë me mallra të ndaluar”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, thuhet në njoftimin  e policisë.

 

Njoftimi i policisë:

Korçë

Finalizohet operacioni antikontrabandë i koduar “Gorica”.

Operacioni nga DVP-Korçë në bashkëpunim me Sektorin e SHÇBA.

Arrestohen në flagrancë 5 shtetas nga të cilët 1 doganier, 3 punonjës të Policisë Kufitare, 1 shtetas, si edhe shpallen në kërkim 7 të tjerë.

Sekuestrohet sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara kontrabandë (konfeksione dhe goma mjetesh të përdorura).

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Sektorin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Korçë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Gorica”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kontrabandimit me konfeksione dhe mallra të ndaluar, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

• Sh.D., 35 vjeç, banues në Korçë, me detyrë doganier pranë Doganës së Goricës.

• Y.Rr., 53 vjeç, banues në Tiranë,  punonjës policie me detyrë përgjegjës turni.

• B.H., 54 vjeç, banues në Korçë, punonjës policie me detyrë kontrollor.

• J.K., 51 vjeç, banues në fshatin Kallamas, Pustec, punonjës policie me detyrë trup shërbimi, pranë Pikës së Kalimit Kufitar Goricë.

• A.H., 58 vjeç, banues në Korçë.

Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit:

M.K., 35 vjeç, banues në Bilisht; N.S., 44 vjeç, banues në Liqenas; A.H., 42 vjeç; E.Z., 44 vjeç; A.P., 37 vjeç; Dh.K., 23 vjeç; M.Xh., 35 vjeç, banues në Korçë.

Punonjësi i Doganës (shtetasi Sh.D.,) në bashkëpunim me punonjësit e policisë dhe shtetasit e lartpërmendur, kanë lejuar kalimin e 4 mjeteve tip kamion të ngarkuar me mallra të dyshuara kontrabandë konfeksione dhe goma automjetesh të përdorura, nga Pika e Kalimit Kufitar Goricë në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke shmangur detyrimet doganore dhe falsifikuar të dhënat e mjeteve në dokumentacionet e tyre dhe në Sistemin Tims, ku 2 nga këto mjete u gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale.

Po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen e personave të shpallur në kërkim, si edhe gjetjen dhe bllokimin e 2 mjeteve të tjera.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabandë me mallra të ndaluar”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”./abcnews.al