Ky 28 Nëntor, ose Nëntori i Tretë, siç e quajtën disa në shesh, do të mbahet mend si dita kur flamuri kombëtar u përdor për të kujtuar, por edhe për të shëmtuar Pavarësinë e Shqipërisë.
Në Vlorë festohej, në Bulevard protestohej. Maskat e thirrura nga Berisha u rikthyen në kryeqytet pas disa javësh pushim, në përpjekje për të zaptuar sheshin Skënderbej e për të sulmuar drejt Bulevardit, me molotovë, shkopinj e gurë, në njërën dorë flamurin, për të fshehur dorën tjetër të dhunës.
Përballë tyre, Policia, po me flamur kombëtar, qëndroi për të ruajtur atmosferën festive e paqen në Tiranë, si kujtesë gjithashtu për të frenuar dhunën, në një ditë të shenjtë kombëtare.
Por maskat kishin një frymëzues të fortë. Edhe këtë herë, promovuesi kryesor i prishjes së festës kombëtare ishte Sali Berisha. Dhe jo për herë të parë. Në 28 Nëntorin e vitit 2000, ai promovoi dhunën në ngjarjet e Tropojës. Por atëherë Ilir Meta e la 12 orë në qeli. Kësaj radhe, Sali Berisha e pa i qetë shfaqjen e shëmtuar që thirri, në luksin e shtëpisë së tij në qendër të Tiranës dhe përmes ekranit privat të familjes së tij.
Por përpjekjet për përçarje nga njerëzit e tij nuk munguan, në ditën kur shqiptarët bashkohen. Në Vlorë, çoi një ish-deputet të njohur për thirrjet për vëllavrasje, Aurel Bylykbashin e Elbasanit, i cili tentoi të prishte edhe festën në qytetin e Pavarësisë. Por harroi se në Vlorë demokratët kanë mbetur më pak se një komisariat policie.
Në Tiranë, doktori në shesh nuk ishte, por ngjarjet i ndoqi nga Syri i familjes, aty ku edhe maskat duken, si gjithmonë, më shumë sesa janë.
Por, nëse ende nuk kanë kandidat të përbashkët për Tiranën, Berisha ka gjithmonë një motiv plus që bashkon opozitat: Kjo është dhuna.


