Apeli i vendeve të Quint-it që Kosova dhe Serbia të rikthehen në dialog, për analistët në Prishtinë është vetëm tregues i zbehjes së rolit të BE-së në këtë proces dhe forcimit të asaj të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Sipas tyre, nën ndikimin e dy superfuqive, çështja e korrigjimit të kufijve do të jetë sërish në tryezë.
Thirrja e vendeve të QUINT-it këtë javë që të rinis sa më shpejt dialogu Prishtinë Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian e forcon edhe më shumë bindjen e analistëve se kjo çështje nuk do të kalojë në duar të vendeve evropiane si Franca e Gjermania siç pretendonte kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj.
Për analistin Fisnik Halimi, këtë dialog vetëm formalisht do ta udheheqë Bashkimi Evropian, por do të jetë e sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të garantohet nga Rusia.
“Fuqia e Bashkimit Evropian për të arritur marrëveshje të mëdha politike është inekzistente dhe sponsor kryesor do të jetë SHBA-ja e garantuar nga Rusia”, thotë ai.
Ndërsa çështja e korrigjimit të kufijve do të jetë sërish në tavolinën e bisedimeve.
“Çështja e korrigjimit të kufijve nuk është hequr në asnjë moment nga tavolina e bisedimeve. Legjislatura e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të jetë para një akti të kryer për të votuar pikërisht atë marrëveshje”, shprehet Halimi.
Dialogu Prishtinë-Beograd aktualisht është stopuar për shkak të taksës së vënë nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe./ABC News Albania 24/7