Ambasada e SHBA: Byroja e Hetimit në Shqipëri do të jetë si FBI-ja amerikane

schedule10:08 - 27 Gusht, 2019

schedule 10:08 - 27 Gusht, 2019

Byroja Kombëtare e Hetimit që do të ngrihet së shpejti në Shqipëri është e ngjashme me FBI-në amerikane e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Shpjegimin ambasada amerikane në Tiranë e dha në rrjetet sociale nëpërmjet një videoje informuese.

Deri sa të ngrihen institucionet e pavarura të drejtësisë, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrë përsipër të sqarojë rolin e tyre kur të bëhen funksionale. Videoja informuese e radhës është Byroja Kombëtare e Hetimit.

Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK. SPAK-u është institucion i ri, i pavarur dhe i pa politizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjek penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.

“Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në Amerikanë e cila heton krimet të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, hetuesit e BKH-së do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyr trajnimin dhe përgatitjet e hetuesve të BKH”.

BKH përbëhet nga një drejtor dhe një ekip hetuesish të cilët duhet të përmbushin standarde të forta të ngjashme me ato të FBI-së. Kryeprokurori i Posaçëm i SPAK dhe dy prokurorë të posaçme  tjerë do zgjedhin drejtorin e BKH-së.

Ky drejtor do drejtojë ekipet e hetuesve pasi të jenë përzgjedhur për këtë organ të rëndësishëm kombëtar, drejtorit dhe drejtuesve të BKH-së do t’u monitorohen llogaritë bankare dhe për tu siguruar që kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.

“Pse është e rëndësishme BKH? Në të kaluarën, cilido me para apo me pushtet mund të ndikonte sistemin e gjykatave në favor të tyre. Tani kushtetuta i jep SPAK-ut fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin e niveleve të larta. Me t’u ngritur SPAK dhe BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsioni në nivele të larta dhe Prokurorët e Posaçëm mund t’i çojnë këto çështje të rëndësishme në gjykatë”.

Për ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës zyrtarët e korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar do të japin llogari dhe do të përballen me drejtësinë. Prokurorët e Posaçëm dhe BKH, janë këtu për tú siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin.

/ABC News Albania 24/7