Albin Kurti kujton tërmetin e 26 nëntorit: Sfidat i kalojmë më lehtë kur jemi të bashkuar

schedule22:24 - 26 Nëntor, 2020

schedule 22:24 - 26 Nëntor, 2020

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” ka kujtuar tërmetin tragjik të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin.

Kurti shprehet se ai dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë, ndërsa shkruan: “Sfidat i përballojmë më mirë, vështirësitë i kalojmë më lehtë kur jemi të bashkuar”.

Statusi:

E kujtojmë sot tërmetin e 26 nëntorit 2019, që preku qindra mijëra njerëz në Shqipëri. Tronditjen e tokës e ndjemë në gjithë qytetet e Kosovës.

Por më e fortë ishte tronditja prej dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, me të cilët ndau pikëllimin e gjithë Kosova dhe kombi shqiptar. Dhimbja na bëri bashkë.

Qytetarët e Kosovës, ashtu si gjithë shqiptarët kudo që janë, u erdhën në ndihmë motrave e vëllezërve të dëmtuar nga tërmeti,me gjithë çka patën mundësi. Ushtria e Kosovës u nis menjëherë në mbështetje të operacioneve të kërkim shpëtimit. Edhe deputeti ynë, Liburn Aliu, i cili ka përvojë në misione të tilla, u gjend në Thumanë, duke ndihmuar edhe personalisht për nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat, e historia që më ka treguar ka lënë mbresa të pashlyeshme.

Aktivistët e Lëvizjes me ndihmën e shumë qytetarëve mblodhën mbi 300 ton ndihma, që i dorëzuan në Rezervat e Shtetit, në Shqipëri. U hapën shtëpitë në Kosovë e u ngritën kampe që prisnin të pastrehët, për ta lehtësuar sado pak dhimbjen e vuajtjen. Edhe sot e kësaj dite në Kosovë ka ende familje nga Shqipëria, mbetur pa strehë atje e të strehuara këtu.

Sot jemi sërish bashkë në përkujtimin e viktimave dhe gjithë pasojave të tërmetit. E dimë që ende mijëra njerëz vazhdojnë të jetojnë në çadra, ashtu siç e dimë se Shqipërisë nuk i kanë ardhur fondet e premtuara nga ndërkombëtarët në konferencën e donatorëve për rindërtimin.

Në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dëshiroj t’i shpreh institucioneve në Republikën e Shqipërisë gatishmërinë tonë maksimale për të ndihmuar në këtë kohë kaq të vështirë. Sfidat i përballojmë më mirë, vështirësitë i kalojmë më lehtë kur jemi të bashkuar./abcnews.al/