Akuzat e opozitës/ Nikolla: Të dhënat e prindërve për një komunikim të ri

schedule13:57 - 20 Maj, 2018

schedule 13:57 - 20 Maj, 2018

Ministrja e Arsimit Lindita ka reaguar për herë të parë ndaj akuzave të bëra nga opozita për çështjen e të dhënave të prindërve që u kërkuan në shkolla. Sipas saj, kjo ishte një kërkesë e ardhur nga vetë mësuesit, ndërsa sqarimet mbi këtë çështje do t’i japë para Parlamentit dhe Prokurorisë.

Të dhënat e prindërve të nxënësve në shkolla u kërkuan nga mësuesit me qëllim vendosjen e një komunikim të ri me anë të teknologjisë.

Ky do të ishte shpjegimi i ministres së Arsimit Lindita Nikolla kundrejt akuzave të bëra nga opozita për këtë çështje.

Në reagimin e saj të parë mbi këtë debat, Nikolla sqaroi gjatë një takimi me banorë të Vllahinës dhe Noveselës në Vlorë, se kjo nismë ka si qëllim informimin e asaj çfarë ndodh në shkollë dhe në politikat arsimore që ndërmerr ministria.

 “Çfarë po kërkojmë? Ti ID, atë numrin  e kartës  së identitetit e jep në çdo shërbim që shkon. Shteti nuk e ka të vështirë, sepse kemi agjencinë edhe se ka fare të vështirë për ta bërë këtë.

Ishte, dhe po jua them dhe do ta kërkojmë dhe po vijojmë për të ndërtuar një sistem të ri komunikimi me ju.

Unë dua ta përdor teknologjinë. Kjo teknologjia, email-et e kompjuterat nuk janë kot. Janë një instrument dhe një mundësi që ne në kohë reale të marrim përgjigje nga prindërit”.

Demokratët kanë depozituar në Prokurori kallëzim për kreun e dikasterit të Arsimit, hap të cilin Nikolla e cilësoi të turpshëm, pasi sipas saj ka një ligj për mbrojtjen e të dhënave.

 “Se e bëni këtë sikur ç’është kjo ID personale! Arsyeja që ne e kërkojmë përmes shkollës është besim, Pse? Sepse mund të ketë 20, 200 Lindita Nikolla, në gjithë Shqipërinë, por ne duam atë Linditën që është realisht prindi te shkolla në Bashkinë Selenicë”.

 

Ndërsa informoi se do të shpjegohet edhe në Parlament dhe Prokurori për këtë çështje, Nikolla kërkoi nga qytetarët të mos gënjehen nga deklaratat për përdorimin dhe falsifikimin e të dhënave për zgjedhjet e ardhshme.