Akti heroik i shqiptarit në Greqi, shpëton nga mbytja dy fëmijë të mitur

schedule10:23 - 12 Qershor, 2025

schedule 10:23 - 12 Qershor, 2025

GREQI- Akt heroik nga një emigrant shqiptar në Greqi! Shqiptari Levian Goga, nga Berati, ka shpëtuar dy fëmijë të mitur, të cilët rrezikonin mbytjen në lumin Arakthos, pranë fshatit Neohori të Artës.

Ngjarja ndodhi mesditën e së mërkurës dhe rasti heroik i shqiptarit është transmetuar në shumicën e mediave fqinje.

Shqiptari po qëndronte në një bar kafe kur një i ri me motor u afrua duke bërtitur se dy fëmijë po mbyteshin në lumë.

Pa hezituar, Goga mori makinën dhe u nis me shpejtësi drejt vendngjarjes, duke treguar kurajë dhe humanizëm të jashtëzakonshëm.

“U hodha pa menduar dy herë. Herën e parë nuk pashë gjë. Herën e dytë u zhyta tetë metra thellë, e pashë djalin. Ishte i shtrirë në fund, fytyra e nxirë, si i vdekur. E kapa me zor dhe e nxora. Kur më thanë se kishte edhe një tjetër, u hodha sërish. E gjeta të shtrirë me shpinë. I dilte gjak nga goja dhe hunda. U tremba shumë,”, tha ai.

Falë reagimit të shpjetë të shqiptarit u arrit të shpëtoheshin dy fëmijët e mitur në Greqi, ndërsa Goga kur flet për momentin e sikletshëm nuk i fsheh dot emocionet që përjetoi.

“Nuk më intereson kush janë, çfarë race apo feje kanë. Edhe unë jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do bënte çdo prind. Vetëm fëmijët më rrinë në mendje. Të jetojnë. Të zgjohen. Të bëjnë jetën e tyre. Edhe fëmijët e mi qajnë në shtëpi. Duhet të kthehem…”

Akti i Levian Gogës është përshëndetur nga komuniteti lokal dhe ka prekur opinionin publik, duke shënuar një shembull të jashtëzakonshëm humanizmi dhe guximi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!