“ABC” siguron rregulloren e KQZ-së: Policia rikthehet në qendrat e votimit

schedule15:51 - 25 Nëntor, 2020

schedule 15:51 - 25 Nëntor, 2020

Nga Esiona Konomi

Qysh në vitin 2001, OSBE ODIHR e ka cilësuar policinë si një nga armët më të rrezikshme që qeveria mund të përdorë në zgjedhje në favor të saj.

Ndaj në vitin 2009 me ligj e konsensus politik,  forcat e rendit, u lanë larg qendrave të votimit.

Por për 25 prillin, policia do të rikthehet aktive dhe me kompetenca shtesë, e kjo nuk vjen si një kërkesë e qeverisë, por si një garanci e kërkuar nga opozita e që është përkthyer në ligj gjatë dakordësisë së Këshillit Politik.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën gati rregulloren specifike që saktëson mënyrën se si vepron dhe ndërhyn policia në qendrat e votimit.

Një draft i siguruar nga “ABC”, thotë se Policia mund të hyjë edhe e armatosur në qendrat e votimit.

Asnjë person i armatosur nuk lejohet të qëndrojë në mjediset e qendrës së votimit. Përjashtohen nga ky rregull punonjësit e Policisë së Shtetit, kur janë në ushtrim të detyrës”.

Policinë e thërrasin komisionerët, rastet kur në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit.

Por roli i policisë do të jetë edhe jashtë qendrës së votimit, pikërisht për të larguar ata persona të cilët mund të vijnë aty për të ushtruar presion ndaj votuesve për interesa të partive të caktuara.

“Në mjediset jashtë qendrës së votimit, në oborrin e ndërtesës, në hyrje të saj dhe në korridoret e brendshme të ndërtesës, nuk lejohet prania apo grumbullimi i personave, përveç zgjedhësve që presin në radhë për të votuar. Prezenca e personave të tjerë, është shkak për pezullimin e procesit dhe për të kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për të rivendosur rendin”.

Draft-Rregullorja e hartuar nga KQZ e angazhon policinë e shtetit edhe në një fushë tjetër. Ajo duhet të heqë posterat e partive apo kandidatëve, flamujt apo banderolat e tyre, kur janë vendosur më larg se 5 metra nga zyra elektorale.

Kjo rregullore mund të ndryshojë, pas vërejtjeve të partive.

Burimet pranë Partisë Demokratike i thanë “ABC”, se selia blu nuk kërkon vetëm një angazhim shtesë të policisë gjatë ditës së votimit, por 4 muaj më parë, përmes një regjistri të veçantë për denoncimet e krimeve zgjedhore.

Ligji për Policinë u miratua në Kuvend, por u kundërshtua nga Presidenti.

Socialistët vendosën ta rivotojnë në 10 dhjetor, duke i dhënë policisë rol më të madh, rol të cilin Ilir Meta e konsideron të rrezikshëm pasi policia mund të përndjekë sipas tij kundërshtarët politikë të qeverisë./abcnews.al/