ABC News në Prishtinë/ Albin Kurti përballë presionit qytetar dhe rezervave të opozitës

schedule15:36 - 21 Mars, 2023

schedule 15:36 - 21 Mars, 2023

PRISHTINË- Qytetarët e Kosovës shprehen skeptikë në lidhje me zhvillimet që pasoi takimi i Ohrit mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç të shtunën e shkuar. Gazetari i ABC News, Arlind Isa ka udhëtuar drejt Prishtinës, ndërsa gjatë komunikimit me qytetarët thotë se vihet re një mosbesim i shtuar për vetë faktin se marrëveshja është e paqartë, në kohën kur nuk ka asgjë konkrete të firmosur, pavarësisht ndërmjetësimit të BE-së dhe SHBA.

“Sa u takon qytetarëve, ka paqartësi dhe ka mister për atë se si do jetë finalja e marrëveshjes. Qytetarët në perceptim deri diku janë kundër, me aq sa dinë, sepse kanë paqartësi. Duan të dinë më shumë gjëra të qarta dhe më shumë elementë rreth kësaj marrëveshjeje”, raportoi ai.

Ai thekson se gjuha politike është ndezur, ndërsa kreu i qeverisë duket se është mes dy zjarresh; në njërën anë ka qytetarët e zemëruar dhe në krahun tjetër, opozita që ka shprehur rezerva për kryeministrin e vendit.

“Politika është e ndezur, është në kaos, në njërin krah është Kurti, i cili po shigjetohet nga opozita, dhe nga ana tjetër është opozita, që ka rezerva rreth qasjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Duket se rezervat po i adresohen vetë z.Kurti se sa asaj se çfarë është propozuar në plani franko-gjerman, të dakordësuar nga BE dhe vetë SHBA”, raportoi gazetari.

Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Dardan Molliqaj, është një prej aktorëve opozitarë, e cila vijon ta kundërshtojë fort formimin e asociacionit. Sipas tyre, Albin Kurti e përdori këtë çështje për të ardhur në pushtet, e ndërkohë sot po shkel mbi zotimet dhe premtimet e bëra publikisht.

“Partia Socialdemokrate, ka qenë ajo që ka përdorur tonet më të ashpra sa i takon reagimit politik. Dardan Molliqaj, në një nga aksionet opozitare për të kundërshtuar momentin politik ka shtruar 205 mijë fletë të firmosura si peticion që kundërshton asociacionin. Të shtunën që vjen është paralajmëruar një protestë për të kundërshtuar aksionin e Kurtit”, raportoi gazetari Isa nga Prishtina./n.m.abcnews.al