I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin Thomas West pritet të takohet të enjten me ministrin e Jashtëm të Talibanëve, Amir Khan Moutaki, si dhe me diplomatë nga Kina dhe Rusia, sipas një njoftimi të zyrtarëve pakistanezë dhe amerikanë.
Bisedimet do të zhvillohen në Islamabad, tha një zyrtar pakistanez në kushte anonimiteti. Kjo do të jetë vizita e parë e West në rajon që nga emërimi i tij në tetor. West gjithashtu do të vizitojë Rusinë dhe Indinë.
“Së bashku me partnerët tanë, ne do të diskutojmë se çfarë presim nga talebanët, si dhe nga çdo qeveri në Afganistan ,” tha të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.
Sipas zyrtarit pakistanez, takimi në Islamabad synon “të gjejë një mënyrë për të parandaluar një krizë humanitare në Afganistan” dhe të promovojë zgjerimin e qeverisë afgane me pjesëmarrjen e të tjerëve përveç talebanëve. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht se Afganistani është në prag të një krize të rëndë humanitare, pasi gjysma e popullsisë po përballet me mungesë ushqimi, duke i detyruar të zgjedhin midis urisë dhe zhvendosjes me afrimin e dimrit, raporton abcnews.al
West, i cili ishte në Bruksel për të diskutuar mbi Afganistanin me zyrtarët e NATO-s, tha se talebanët ishin në favor të kthimit të ndihmës humanitare në vendin e tyre, normalizimit të marrëdhënieve me ndërkombëtarët dhe heqjes së sanksioneve kundër tyre.
I dërguari i SHBA-së tha gjithashtu se ishte i shqetësuar për sulmet e fundit të përgjakshme nga Shteti Islamik, duke siguruar se Uashingtoni dëshiron që “talebanët të kenë sukses” kundër kundërshtarëve të tyre të dhunshëm.
/abcnews.al