E mërkura gjeti pjesën më të madhe të vendit të mbuluar nga dëbora. Që prej mëngjesit, reshje të vazhdueshme kanë rënë në disa prej qarqeve kryesore në vend si në veri, ashtu dhe në jug të vendit. Pjesa qendrore e Shqipërisë, duket se ka mbetur larg hartës së rënies së dëborës dhe problemeve që janë konstatuar gjatë ditës në zonat ku bora ka shtruar nga disa centimetra deri në disa dhjetëra të tilla.
Sipas një njoftimi të bërë publik në orët e mbrëmjes nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, shumë rrugë në vend janë të aksesueshëm vetëm me zinxhirë në gomat e automjeteve. Kështu rruga Qafë Thanë-Kapshticë dhe Qafë Qarri-Ersekë qarkullimi bëhët me zinxhirë.
Tepelenë-Kakavijë pas reshjeve te shiut, qarkullimi është i mundur pa zinxhir, por duhet të bëhet me kujdes. Në Pukë; akset Fushë Arrëz-Qafë Mali, Hani i Hotit-Tamarë, Dedaj-Razëm, Qafë Laç-Koman, Qafë Mali- Fierzë, Kuben-Vasije qarkullimi bëhet me zinxhirë. Segmenti Fierzë-Ura e Bujanit-Qafë Morinë, i qarkullueshëm me zinxhirë. Aksi Kukës-Ura e Zapodit, Kukës-Bushtricë, i qarkullueshëm me zinxhirë. Segmenti Kukës Krumë, Krumë Qafë Prushi, Plepa-Kam të qarkullueshëm me zinxhirë./abcnews.al