Hyrjen në fuqi të bonusit për bebet e përfituan foshnjet e para të vitit 2019. Për t’ia dorëzuar u kujdes vetë kryeministri Edi Rama.
“I pari i këtij viti është Aleksi, vëllai i dy motrave që si fëmijë i tretë, do të hyjë në shtëpi me 120 mijë lek të reja me vete”, u shpreh ai.
Çeqet ua dorëzoi edhe dy fëmijëve të tretë që erdhën në jetë këtë Vit të Ri.
“Pas tij ka ardhur një vajzë, fëmijë i dytë, që do të hyjë në shtëpi me 80 mijë lek të reja, e më pas, përsëri një vajzë, e cila si fëmijë i parë, do t’u çojë prindërve në shtëpi 40 mijë lek të reja. Tre të parët kanë ardhur fiks si për të ilustruar politikën e re të Bonusit të Bebes. GEZUAR e me shëndet e mbarësi, të gjitha çifteve të reja e prindërve përsëritës të këtij Viti të Ri”, tha Rama.
Buxheti i vitit 2019 mundëson mbështetjen direkte për rreth 30 mijë familje që do të përfitojnë çekun e bebes për çdo të porsalindur ka deklaruar më herët ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se për këtë politikë të re sociale, janë parashikuar 2 miliardë lek në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë po përgatitet për një tjetër inovacion, në mënyrë që çdo bebe që lind në maternitetet e Republikës së Shqipërisë, do të regjistrohet aty, nuk do ketë lodhje deri në gjendjen civile dhe do të marrë çekun aty.
Një tjetër deklaratë e ministres Manastirliu është bërë për nisjen e dixhitalizimit të programit për të mbuluar vaksinimin për të gjithë fëmijët dhe të këtë një regjistër elektronik, duke shtuar se po punohet për të ulur burokracinë për procedurat në maternitete dhe premtoi se deri në fund të këtij mandati këto politika do të japin efektet duke ulur edhe vdekshmërinë e te porsalindurve. Pritet që vitit 2019 të sjellë edhe rritje pagash për stafin mjekësor./abcnews.al