Inceneratori, padia e LSI për Lefter Kokën hakmarrje e LSI? Si përgjigjet nënkryetarja Xhixho

schedule14:41 - 22 Tetor, 2021

schedule 14:41 - 22 Tetor, 2021

LSI ka dorëzuar tre të enjten kallëzime në SPAK për ish-drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit në lidhje inceneratorin e Fierit.

Ish-ministri Lefter Koka, njëkohësisht ka qenë një ndër deputetët më të fuqishëm të kësaj partie, ish-Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Alqi Bllako si edhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi janë paditur në SPAK nga kjo forcë politike.

E ftuar në “Abc Live” me Juli Xhokaxhi, nënkryertarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Erisa Xhixho tha se në kallëzim LSI ka renditur në mënyrë të qartë të gjitha mënyrat sipas të cilave zyrtarë të lartë të shtetit kanë kryer shkelje në tenderimin e koncesionit.

“LSI e ka ndjekur me shumë sensibilitet këtë çështje. Një aferë e pastër korruptive e zyrtarëve të lartë që kanë shpërdoruar detyrën…Inceneratori është i financuar 100 për qind nga taksapaguesit, 128 milionë euro. Duhej të ishte tender ndërkombëtar, por kjo nuk ka ndodhur.”

Nënkryetarja e LSI përmendi një kompani që kërkoi të kishte një bonus prej 10 pikësh nga Këshilli i Ministrave. Sipas saj, për këtë ka pasur një qëndrim të fortë nga ministrja për Marrëdhënie me Parlamentin në atë kohë Ermonela Felaj.

“Ishte qëndrim i fortë i ministres për Marrëdhënie me Parlamentin që ka konstatuar një fakt shumë të thjeshtë, kjo shoqëri që kërkoi të kishte një bonus 10 pikë nga Këshilli i Ministrave, është regjistrurar ditën që ka shpallur, treguar studimin e fizibilitetit. Ishte me zero eksperiencë. Procesi është vijuar pa miratim të financave , duke vënë në dukje që kërkonte një mbështetje financiare për këtë procedurë.”

E pyetur nëse LSI po merr në një farë forme hak ndaj Lefter Kokës, zonja Xhixho tha se nuk bëhet fjalë për çështje emrash konkretë.

“Nuk duhet të merret më shoqëria me emra por me çështje. Jam fare e ftohtë kush është personi, mban përgjegjësi penale para opinionit publik. Politikanët në momentin që përfshihen në një aferë korruptive, pavarësisht se në çfarë kahu ndodhen duhet të mbajnë përgjegjësi për veprime apo mos veprime. Presim një hetim të thellë, profesional.”

Ndërsa, sa i përket tre amendamenteve të PD, LSI duket se ka qëndrime disi të ndryshme. Erisa Xhixha tha se nuk është njohur zyrtarisht me propozimet e demokratëve për ndryshimet kushtetuese. Megjithatë, duke u ndalur tek vettingu i politikanëve, ajo theksoi se Shqipëria ka SPAK-un që e kryen aktualisht.

“Personalisht jam për vetting të politikanëve. Ne i kemi institucionet që e bëjnë këtë vetting, dhe ato në drejtësi që nuk imunizojnë politikanët në qartësinë e tyre ndaj opinionit publik.”

Për nënkryetaren e LSI në Kushtetutë është ndërhyrë shumë në këto 30 vite dhe nëse do duhet të ndërhyhet sërish kjo duhet bërë për gjëra thelbësore dhe një herë e mirë. Kurse, për reformën territoriale Erisa Xhixho tha se nëse bëhet duhet që qëllim final të ketë shërbimin ndaj qytetarëve. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!