Gjermania, “lokomotiva” ekonomike me ushtri të “ndryshkur”

schedule19:43 - 27 Dhjetor, 2018

schedule 19:43 - 27 Dhjetor, 2018

Zhvillimi ekonomik që ka karakterizuar Gjermaninë në dekadat e fundit nuk ka përfshirë sektorin e forcave të armatosura të vendit. Mediat gjermane shkruajnë se ushtria është në gjendje të dëshpëruar për shkak të mungesës së investimeve, personelit të tkurrur dhe mirëmbajtjes së varfër.

7 vjet pasi ndërpreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Gjermania po përballet me një mungesë të theksuar personeli në radhët e forcave të armatosura. Komandanti i përgjithshëm, gjenerali Eberhard Corn ka deklaruar se për t’i dhënë zgjidhje problemit po shqyrtohen disa opsione, përfshirë ai për punësimin e qytetarëve nga vendet e tjera të BE-së.

Ushtaraku i lartë ka nënvizuar se më alarmante është mungesa e specialistëve, kryesisht në fushën e infermierisë dhe teknologjisë së informacionit. Por mediat gjermane nënvizojnë se personeli është vetëm maja e ajsbergut e problemeve që kanë përfshirë ushtrinë federale në vitet e fundit. Ndërsa vendi synon të ketë 70 për qind të kapaciteteve luftarake në gjendje gatishmërie, të dhënat e fundit tregojnë se arritja e objektivit është ende larg.

Sipas burimeve mediatike, që citojnë një raport të hartuar nga Ministria e Mbrojtjes, vitin e kaluar Gjermania kishte gati për luftë vetëm një të tretën e 97 tankeve, avionëve dhe helikopterëve ushtarakë. Gjithashtu, asnjë nëndetëse dhe avion i madh transporti nuk ishte dhe nuk është as sot në gjendje funksionale.

Dokumenti vë në dukje se situata e dëshpëruar është pasojë e tkurrjes së investimeve dhe mirëmbajtjes së varfër. Sa i takon personelit, forcat e armatosura kanë një vakum prej 21 mijë oficerësh dhe i vetmi aspekt ku duket se shkëlqejnë është prania e femrave, që përbëjnë rreth 12 për qind të trupave. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula Fon Der Lejen ka deklaruar se, ndryshimi i situatës është prioritet i qeverisë.

Ajo ka saktësuar se brenda vitit 2025 është planifikuar mbushja e vakancave, si dhe rritja e buxhetit për mbrojtjen nga 1.2 në 1.5 për qind të GDP-së, pas kritikave të presidentit Trump se vendi nuk përmbush detyrimet si anëtar i NATO-s./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!