Familja Blandi, me origjinë nga San Benedetto Ullano në Kalabri, ka zgjedhur Tiranën për martesën e vajzës së vetme, Rossella-s, me Francesco Metallo-n.
Artistja italiane Roberta Faccani ndodhet në Tiranë si e ftuar në martesën e Rossella Bladit dhe Francesco Metallo-s, një ceremoni që bashkon një familje arbëreshe nga Kalabria me Shqipërinë.
Në një intervistë për emisionin “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë”, në ABC News me gazetarin Artur Nura, Faccani tregoi lidhjen e saj të gjatë me familjen Blandi dhe me traditën arbëreshe.
“Jam një mike e vjetër e familjes Blandi dhe e Roselës, të cilën e kam parë të rritet. Traditën arbëreshe e njihja tashmë, sepse jam rritur me historitë dhe rrëfimet që më kanë shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve”, tha ajo.
E pyetur nëse ndihet edhe ajo arbëreshe, Faccani u shpreh se, megjithëse nuk ka origjinë arbëreshe, është dashuruar me këtë histori.
“Unë nuk jam arbëreshe, por jam dashuruar me këtë histori kaq të veçantë, me këto rrënjë kaq të rëndësishme për kulturën tuaj, ndaj ndihem edhe unë paksa arbëreshe”, u shpreh artistja.
Kjo është vizita e parë e Faccanit në Tiranë. Ajo tha se është impresionuar nga mikpritja dhe atmosfera që ka gjetur në kryeqytet dhe shprehu dëshirën për t’u rikthyer në Shqipëri për të punuar.
Gjatë ceremonisë, artistja interpreton “Ave Maria” të Schubert-it dhe “Fratello Sole e Sorella Luna”, një këngë që e lidh me vitet e saj të formimit artistik.
Faccani është diplomuar në vitin 1995 në shkollën e Mogol-it, ku është formuar bashkë me emra të njohur të muzikës italiane. Më pas ajo ka zhvilluar një karrierë në muzikal dhe teatër dhe për rreth dhjetë vjet ka qenë zëri i grupit të njohur italian Matia Bazar.
“Një nga grupet më të mëdha në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me të cilin kam udhëtuar nëpër botë. Më mungonte vetëm Shqipëria dhe prandaj shpresoj të rikthehem edhe me shfaqjet e mia”, tha ajo.
Në fund të intervistës, Faccani e cilësoi këtë vizitë si një fillim, duke shprehur shpresën se do të rikthehet sërish në Shqipëri.

