Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e tetë të protestës kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me thirrjen “Jo në emrin tim”, protesta ka bërë bashkë qytetarë të shumtë në qendër të kryeqytetit, ndërsa mes tyre nuk kanë munguar as familjarë të Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
Protestuesit janë shfaqur me flamuj kuqezi, flamuj të UÇK-së, si dhe pankarta me mesazhe në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një javë pas vendimit tronditës të Gjykatpës Speciale, protestuesit dhe studentët kërkuan trajtimin dhe votimin sa më shpejt të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetje financiare për mbrojtjen ligjore të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe reagim e veprim nga institucionet e Kosovës, duke paralajmëruar se durimi i protestuesve po mbaron.
Ata theksuan gjithashtu solidaritetin me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se protestuesit do të vazhdojnë të jenë në shesh derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje.
OVL-UÇK ka paralajmëruar protesta në të gjitha qytetet e Kosovës për 25 shtator në orës 17:00.
Ndërkohë, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë publikuar një letër të përbashkët, përmes së cilës kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar lidhur me zhvillimet pas procesit gjyqësor në Hagë. Në letër i është kthyer përgjigje edhe ftesës se ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim me familjarët e ish-krerëve të UÇK-së.
“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara. E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, tha Altin Krasniqi.
Më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale i shpalli fajtorë ish-krerët e UÇK për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet; vendimi është i shkallës së parë dhe pritet të apelohet.

