Banorët e azilit në Fier të vetmuar, por jo të harruar

schedule16:00 - 27 Dhjetor, 2018

schedule 16:00 - 27 Dhjetor, 2018

Të moshuarit e azilit në Fier për festat e fundvitit e ndjejnë me tepër vetminë. Ndaj çdo dhuratë i kthen atyre momente të gëzuara.

E jetojnë vetminë me dinjitet, buzëqeshje dhe mes njëri-tjetrit. Kjo është e vetmja mënyrë për të përballuar braktisjen, ose fatin e keq që i solli këtu. Por nëse gjatë gjithë vitit e sfidojnë vetminë, ka një periudhë kur dorëzohen. Janë festat e fundvitit, që pa familjen s’kanë kuptim. Dhuratat nuk mund të kenë efekt më të plotë se sa këtu në shtëpinë e të moshuarve.

Kontribuesit janë të shumtë dhe të ndryshëm. Qëllimi është një dhe i vetëm, t’i bëjnë të ndihen si në shtëpi. Gota e dollisë për këtë fundvit do të jetë me një verë cilësore që sapo ka mbërritur nga OSHEE.

Daniela Asimaj, Drejtoreshë e Azilit në Fier: “Ka ardhur OSHE për të dhuruar një shsihe verë për ta bërë ambjent më atmosferë në natën e ndërrimit të viteve dhe kjo është një gjë e mirë sepse kujtohen për të moshuarit”.

Për disa azili ishte një opsion i paimagjinueshem por tani duket një zgjedhje e mire

“Kalova një hemorragji celebrale, vëllai do më ikte në Gjermani dhe erdha në azil, vend në Tiranë nuk kishte dhe më sollën në Fier. Në fillim nuk e kisha me kënaqësi, tani jam e kënaqur”.

55 banorët e shtëpisë së të moshuarve të Fierit festojnë së bashku me stafin ndërrimin e viteve. Mirëqënia dhe kushtet e jetesës këtu janë përmirësuar nga viti në vit falë investimeve, por edhe kontributeve të shoqërisë për këtë kategori.

Gazetare e ABC News, Fier: Valbona Daci