Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një mjet që transportonte një sasi parash nga Drejtoria e Transportit rrugor në Durrës, tek një bankë e nivelit të dytë. Nga ngjarja nuk ka të lënduar dhe shuma e grabitur mendohet të jetë rreth 75 milionë lekë të vjetra.
Në orën 16:50 një makinë që po transportonte një sasi parash tek një bankë e nivelit të dytë në Durrës, u ndalua nga tre persona të maskuar dhe të armatosur. Personat e ngarkuar për të dërguar paratë tek filiali i bankës në një distancë prej 500 metrash u gjendën në befasi dhe nuk mundën të reagojnë. Autorët morën lekët dhe u larguan nga vendngjarja me një automjet tip Benz në drejtim të Shijakut.
Grabitja ndodhi në lagjen nr.14 të Shkozetit. Policia njoftoi se paratë e vjedhura i përkisnin Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Ende nuk ka të dhëna për autorët. Mendohet se shuma e grabitur të jetë rreth 75 milionë lekë të vjetra./abcnews.al