Një grup qytetarësh janë përplasur fizikisht me disa punonjës të policisë në qytetin e Durrësit. Incidenti ka ndodhur mbrëmjen e 17 shtatorit në lagjen Nr.11 të qytetit bregdetar, në bulevardin kryesor.
Në pamjet e siguruara nga gazetari i ABC Leonidha Musai, shihet grupi i djemve që debatojnë dhe më pas edhe përplasen fizikisht me policët e patrullës.
Mësohet se shkak për përplasjen fizike mes policëve dhe disa qytetarëve është bërë thyerja e rregullave anti-covid. Patrulla e policisë u kërkoi djemve që ndodheshin jashtë pasi kishte kaluar ora policore që të shpërndaheshin, por ata refuzuan dhe nisën sharjet ndaj efektivëve.
Këta të fundit kërkuan përforcime dhe më pas nisi edhe sherri. Për rastin në fjalë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, u procedua penalisht L. Q., 25 vjeç. Për këtë të fundit dhe një shtetas me iniciale E. Gj., policia vendosi masë administrative, në zbatim të Aktit Normativ. /abcnews.al/