Moti i keq në veri të Greqisë, 15 viktima nga përmbytjet

schedule13:27 - 15 Nëntor, 2017

schedule 13:27 - 15 Nëntor, 2017

Ka shkuar në 15 të vdekur bilanci tragjik i përmbytjeve në Greqi. Gjithashtu dhe 17 persona janë plagosur dhe një tjetër është shpallur i zhdukur. Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka shpallur të enjten ditë zie në gjithë vendin për nderim të viktimave.

Shirat e rrëmbyer sollën përmbytje, shkatërrim dhe një bilanc tragjik me viktima në zonën perëndimore të Athinës në Greqi. Autoritetet bëjnë me dije se 15 persona kanë humbur jetën, 10 meshkuj dhe 5 gra, shumica prej tyre të moshuar. Gjithashtu nga përmbytjet kanë mbetur të plagosur dhe 17 persona ndërsa një tjetër është shpallur i zhdukur. Personat e lënduar janë dërguar në një spital të zonës dhe kanë marrë mjekimin e duhur. Ndërsa vazhdon puna e ekipeve të shpëtimit për të zbuluar vendndodhjen e personit të zhdukur.

Gjatë të mërkurës, emergjenca civile bashkë me ushtrinë dhe zjarrëfikësit kanë kryer rreth 100 operacione evakuimi në të gjithë zonën e prekur nga përmbytjet e rrezikshme. Situata më e rëndë u paraqit në qytetin industrial të Mandrës, në Nea Peramos dhe Megara. Por në të gjithë Greqinë ka pasur situata të ngjashme me përmbytje dhe stuhi, por për fat të mirë pa viktima vetëm dëme materiale.

Shumica e viktimave janë gjetur brenda banesave të tyre. Ndërkohë, dëmet materiale janë të pallogaritshme. Shumë nga rrugët e zonës së prekur nga përmbytjet është e mbuluar nga uji dhe nga balta. Duke parë situatën e krijuar në vend, kryeministri Aleksis Tsipras zhvilloi një mbledhje emergjence gjatë së mërkurës. Pasi saj, ai dha një prononcim për media. Duke shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave, Tsipras shpalli të enjten ditë zie kombëtare. Gjithashtu ai bëri të ditur se të enjten do të fillojë edhe verifikimi I dëmeve të shkaktuara, në mënyrë që të dëmtuarit të përfitojnë dëmshpërblim. Tsipras theksoi se qeveria ka filluar hetimet lidhur me shkaqet që sollën këtë tragjedi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!