Mijëra studentë janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit në ditën e tretë të protestës kundër tarifave të shkollimit. Studentët kërkojnë heqjen e pagesës për kreditet e provimeve të mbartura, si dhe shtyrjen e afatit të pagesës vjetore të shkollës dhe pagesën e saj me këste. Sot mësimi u bojkotua në Tiranë nga studentët e fakultetit Ekonomik, atij të Inxhinierisë, Mjekësisë, Shkencave Sociale dhe ata të Shkencave të Natyrës, Universiteti Bujqësor, fakulteti i Drejtësise etj. Rruga e Durrësit aktualisht është krejtësisht e bllokuar nga studentët, të cilët paralajmërojnë se do të qëndrojnë aty deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Edhe dje paradite studentët protestuan disa orë para kësaj Ministrie dhe në formë revolte hodhën drejt godinës stilolapsa, letra dhe vezë. Ftesës së Ministres Nikolla për një takim në ambientet e Ministrisë së Arsimit, studentët iu përgjigjen negativisht, duke e ftuar t’i takonte aty ku po protestonin. Në këto kushte ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla iu përgjigj përmes një deklarate për mediat kërkesave të tyre, duke theksuar se vendimi që i shqetëson hyn në fuqi vitin e ardhshëm dhe se janë universitetet që vendosin për tarifat. Por studentët nuk u bindën nga këto deklarata. /abcnews.al