Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Maratonomakja më e veçantë/ Vrapon bashkë me bebin në maratonë, aty njohu dhe dashurinë e jetës

schedule11:56 - 16 Nëntor, 2026

schedule 11:56 - 16 Nëntor, 2026

Për Naile Seferajn, vrapimi nuk është thjesht një sport, por një mënyrë jetese, një sfidë e përditshme me kufijtë e vetes dhe një burim i pashtershëm force. Ajo nisi të merrej me sport që në moshën 11-vjeçare dhe për shumë vite ishte volejbolliste profesioniste. Një dëmtim në gju dhe një operacion e larguan përkohësisht nga sporti, por jo nga pasioni për aktivitetin fizik.

Rikthimi në palestër i hapi një rrugë të re: nga volejbolli drejt vrapimit të distancave të gjata. Sfida e parë e pazakontë ishte përshkimi i 60 kilometrave në pistë për 8 orë e 10 minuta. Më pas erdhi Maratona e Tiranës në vitin 2022, ku si atlete amatore arriti të merrte vendin e dytë. Një tjetër provë e jashtëzakonshme ishte itinerari Tiranë–Golem, 42 kilometra të përshkuara për 3 orë e 30 minuta.

Por historia e Nailes ka edhe një dimension që e bën të veçantë: ajo ka vazhduar të vrapojë edhe gjatë shtatzënisë, deri në muajin e nëntë, duke treguar se sa e rëndësishme është për të kjo marrëdhënie me sportin. Ajo tregon se gjatë kësaj periudhe është konsultuar me gjinekologen dhe ka ndjekur këshillat e saj, pavarësisht komenteve dhe paragjykimeve që ka hasur në rrugë.
Sot, djali i saj dy vjeç e gjysmë është bërë pjesë e kësaj historie, duke e shoqëruar në maratona me karrocë. Kështu, çdo kilometër merr një kuptim tjetër: është një sfidë sportive, por edhe një kujtim i bukur familjar.



Naile ka vrapuar edhe për katër heronjtë e UÇK-së, duke i dhënë pasionit të saj një dimension emocional dhe njerëzor. Në garat malore ka provuar distanca deri në 47 kilometra, duke kuptuar se përtej vullnetit, sfidat ekstreme kërkojnë përgatitje dhe pajisje të përshtatshme. Zgjohet çdo ditë në orën pesë të mëngjesit dhe organizon jetën mes punës si trajnere personale, familjes dhe stërvitjes. Për të, sekreti qëndron te disiplina, gjumi, ushqimi dhe këmbëngulja.

Ajo nuk vrapon për medalje, por për kënaqësinë e sfidës dhe për të provuar se sa larg mund të shkojë. Madje, Tiranën thotë se e ka njohur ndryshe, duke vrapuar nëpër lagjet dhe rrugët e saj.
Një histori që dëshmon se ndonjëherë fitorja më e madhe nuk është të mbërrish e para në finish, por të mos heqësh dorë nga vetja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!