Rritja e infektimeve, MSH: Edhe shtatori do të jetë muaj i hapur për vaksinim

schedule13:48 - 24 Gusht, 2021

schedule 13:48 - 24 Gusht, 2021

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka lajmëruar se Shtatori do të jetë muaj i hapur i vaksinimit masiv, duke apeluar qytetarët ta shfrytëzojnë sa më parë këtë mundësi, për të mbrojtur shëndetin dhe jetën.

“Shtatori do të jetë një muaj vendimtar për të rritur mbulesën vaksinale, ndaj kemi vendosur që sërish të jetë një muaj i hapur për vaksinimet e çdo qytetari mbi 18 vjeç. Le t’i shfrytëzojmë këto ditë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin, duke u vaksinuar sa më parë, për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor që po afron, të aktiviteteve të biznesit dhe jetës sonë të përditshme”, ka apeluar Manastirliu.

Duke folur për situatën epidemiologjike në vend, Manastirliu tha:

“Të dhënët epidemiologjike të dy javëve të fundit tregojnë një rritje me rreth 5 herë të rasteve të infektimeve krahasuar me periudhën e mëparshme. Në Spitalin Infektiv ndodhen të shtruar 84 pacientë. Ka prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe po trajtohen në terapi intensive. E përbashkëta e shumicës së pacientëve që këto ditë gushti, që po vuajnë dhe format më të rënda të sëmundjes, është se nuk janë të vaksinuar. Mjekët që shërbejnë me përkushtim në Spitalin Infektiv raportojnë se përgjatë kësaj periudhe ka patur edhe disa raste të të shtruarve të cilët kanë qenë të vaksinuar, por shprehen optimistë për gjendjen shëndetësore të pjesës dërrmuese të pacientëve që janë vaksinuar dhe e kanë përgatitur organizmin, për përballjen me virusin”, tha Manastirliu.
Në video-mesazhin e saj, Manastirliu ka bërë me dije se janë marrë të gjitha masat për të përballuar ardhjen e një tjetër vale të koronavirusit.

“Në planin tonë të përballjes me Covid, sipas skenarëve të hartuar nga ekspertët tanë, kemi parashikuar të gjitha masat dhe ndërhyrjet, për t’iu përgjigjur me kapacitete të fuqizuara, në të gjitha nivelet e sistemit tonë shëndetësor situatës dinamike të epidemisë së Covid19. Jemi përgatitur të shtojmë stafet në shërbim të testimit dhe vaksinimit, si edhe të trajtimit të pacientëve që do të kenë nevojë për kujdes mjekësor. Në Institutin e Shëndetit Publik po rrisim kapacitetet e testimit me aparatura të reja laboratorike. Flota e autoambulancave të Urgjencës Kombëtare do të shtohet sërish me 20 autoambulanca të reja, për t’iu përgjigjur edhe më shpejt, edhe më mirë, flukseve potenciale në muajt e ardhshëm”, tha Manastirliu.

Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 1,899,172 vaksina antocovid. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,386,713 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 594,050 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!