Fëmijët që kanë aplikuar vaksinën ndaj hepatitit B në vendin tonë janë të mbrojtur nga infeksionet që shkaktohen prej tij dhe nga kanceri i mëlçisë në të ardhmen. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, mbulesa vaksinale për hepatitin B është mbi 98%. Vaksina aplikohet në katër doza, nga lindja dhe deri në vitin e parë të jetës.
“Vaksina e hepatitit B ka një mbulesë të lartë vaksinale mbi 98% dhe i mbron fëmijët tanë që në lindje nga hepatiti B, infeksionet nga hepatiti dhe parandalon kancerin e mëlçisë. Një studim që ka bërë ISHP në 2025 te fëmijët 6 dhe 7 vjeç, është parë se fëmijët e vaksinuar kanë një mbrojtje të lartë ndaj hepatitit B, të gjithë negativë për hepatitin B. Automatikisht nesër do kemi fëmijë dhe të rritur që nuk mund ta marrin këtë infeksion dhe janë të mbrojtur edhe nga kanceri i hepatit dhe ulin edhe incidencën e tij”, tha Rovena Daja, përgjegjëse për vaksinimin, ISHP.
Por nëse për hepatitin B ka një mbulesë të lartë vaksinale, prindërit vijojnë të jenë dyshues për t’i aplikuar fëmijëve të tyre dozat kundër fruthit, rubeolës dhe parotitit. Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, pavarësisht studimeve që dëshmojnë të kundërtën, shumë prej tyre vijojnë ta lidhin me autizmin.
“Po dalin studime të reja se shkaku i autizmit nuk është kjo vaksinë. Merrni informacion nga burime të besueshme. Kur ka edhe raste sporadike me fruth, është shumë e rëndësishme të vaksinohemi në kohë. Mbulesa vaksinale me dozë të parë është 82%, se nuk i vaksinojnë, i shtyjnë, harrojnë se fëmija nuk ka antitrupa nga nëna dhe mund të infektohet, mund të përfundojnë në spital, shkon edhe deri në vdekje. Nga 12 deri 15 muaj e shtyjmë deri në 18 muaj, por jo më tepër”, shtoi ajo.
Ndërsa aplikimi i vaksinës që mbron nga human papilloma virus, nisur prej fillimit të këtij viti edhe te djemtë 13 vjeç, pas vajzave të së njëjtës moshë, ka përmbysur pritshmëritë e specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik. Rreth 50 mijë djem dhe vajza adoleshentë kanë aplikuar vaksinën kundër HPV.
“Menduam në momentin e parë që djemtë mund të ishin pak hezitues, por në fakt ata po shkojnë dhe po vaksinohen, madje kemi kërkesa edhe nga djem mbi 13 vjeç. Ne kemi zhvilluar një fushatë vaksinimi shtesë për vajzat 14–20 vjeç gjatë 2024–25. Nëse do ketë kërkesa, mund të zhvillojmë fushata shtesë edhe për djemtë mbi 13 vjeç që duan të vaksinohen. Nesër do kemi djem dhe vajza pa HPV dhe normalisht shpëtojmë nga disa lloj kanceresh”, u shpreh më tej Rovena Daja, përgjegjëse për vaksinimin, ISHP.
Në javën europiane të imunizimit, mjekët apelojnë për të respektuar kalendarin e vaksinimit, ndërsa thonë se 50 vitet e fundit, vetëm prej aplikimit të vaksinave janë shpëtuar rreth 150 milionë jetë.


