Katër vite pas largimit nga Shqipëria, ish-Ambasadori i SHBA, Alexander Arvizu është surprizuar nga ndryshimi i shpejtë i Tiranës. Ai u prit në një takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i jep “Kullën e Sahatit” ish-Ambasadorit të SHBA në vendin tonë, Alexander Arvizu, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Alexander Arvizu, ish-Ambasador i SHBA në Tiranë: “Është shumë e jashtëzakonshme. Është bukur që njerëzit ndiejnë krenari për qytetin e tyre dhe kjo mund të inspirojë për të tjera gjëra. Unë e njoh Kryebashkiakun, por më e rëndësishmja, e di që Kryebashkiaku po punon edhe në gjëra të tjera, ndoshta jo kaq të dukshme, por që gjithashtu do të përmirësojnë jetën e njerëzve. Ndaj është e rëndësishme të bëhen të dyja, nuk mund të kesh njërën, pa pasur tjetrën.”
Në shenjë të miqësisë mes dy vendeve, kryetari i bashkisë dhe ish-Ambasadori mbollën edhe një pemë në lulishten pranë Bibliotekës Kombëtare.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Mikprita në Tiranë një mikun tonë shumë të çmuar, ambasadorin Arvizu, që ka kaluar një pjesë të jetës së tij në këtë qytet. Është lidhur me këtë qytet, me vendin tonë. Prova se një vend ka zënë vend në zemrën dhe në jetën e dikujt, është kur ai kthehet sërish aty. Edhe prova që na jep ambasadori sot është se Tirana është pjesë e jetës së tij, Shqipëria është pjesë e jetës së tij dhe fakti që kthehet edhe për të dhënë një kontribut konkret dhe për të mbjellë një pemë në Tiranë në këtë fushatën tonë të “Pyllit Orbital”, më bën që ta çmoj shumë.”
Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu shërbeu në Shqipëri nga dhjetori i 2010-s deri në janar të 2015-s./abcnews.al