Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist, tha se shumica qeverisëse duhet të reflektojë mbi pritshmëritë e reja të qytetarëve, duke theksuar se arritjet e deritanishme nuk mjaftojnë më nëse përvoja e qytetarëve me shërbimet publike mbetet problematike.
Rama u shpreh se, edhe pse sot 95% e shërbimeve publike në Shqipëri ofrohen online përmes telefonit celular, qytetarët nuk janë më të gatshëm të tolerojnë mangësitë që hasin në shërbimet e përditshme.
Për të ilustruar këtë, ai solli shembullin e një gruaje 80-vjeçare, e cila, sipas tij, protestoi për shkak të vështirësive në marrjen e shërbimit në poliklinikë.
“Nuk e di a dëgjuat rastin e një gjysheje 80-vjeçare. Edhe ajo doli në protestë, jo për Zvërnecin, por sepse sa herë i duhej të vizitohej në poliklinikë, ngrihej pa zbardhur dita për të zënë radhën, pasi mjeku shkonte vonë dhe ajo priste 2-3 orë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se investimet në infrastrukturën shëndetësore dhe shërbimet publike nuk mjaftojnë nëse qytetarët vazhdojnë të përballen me probleme konkrete në përditshmëri.
“Sot 95% e shërbimeve publike në Shqipëri merren nga celulari, por ky fakt nuk mjafton më që njerëzit të tolerojnë më shërbime që ende çalojnë. Nuk e di a dëgjuat rastin e një gjyshe 80-vjeçare. Edhe ajo doli në protestë, jo për Zvërnecin, por doli sepse sa herë i duhej të vizitohej në poliklinikë, ngrihej pa zbardhur dita për të zënë radhën sepse mjeku shkonte vonë dhe rrinte 2-3 orë. Ne mund t’i tregojmë asaj gjysheje sa spitale kemi ndërtuar apo sa pajisje kemi blerë, por të gjitha këto apo punët e panumërta që kemi bërë, janë fakte. Por fakti i saj është përvoja e asaj radhës në Poliklinikë kur dielli s’ka dalë akoma. Dhe kur faktet tona përplasen me përvojën e gjyshes nuk mund t’i kërkojmë të ndryshojë përvoja. Duhet të ndryshojmë ne”, tha ai.
/abcnews.al/



