Presidenti amerikan, Donald Trump po e shqyrton seriozisht rifillimin e operacioneve të mëdha luftarake kundër Iranit, duke thënë se Teherani “nuk ka marrë ende mjaftueshëm dhimbje”.
“Po shqyrtoj një sulm masiv. Më të madh se kurrë më parë. Jam afër marrjes së një vendimi. Jemi të gjithë gati për të”, citohet të ketë thënë presidenti në atë që Axios e përshkruan si një intervistë të shkurtër.
Trump pranoi se një vendim i tillë do të kishte pasoja dhe theksoi se ende nuk ka marrë një vendim, por tha se Izraeli “do të bashkohej brenda dy minutash nëse do t’i kërkoja”.
Ai shtoi se do të kishte “pasoja” për bashkimin e Izraelit me sulmet, duke lënë të kuptohet hakmarrje iraniane kundër Izraelit dhe tha se Irani “dëshiron të negociojë”, por ende nuk është gati të bëjë një marrëveshje.
“Ata nuk kanë përjetuar ende dhimbje të mjaftueshme,” tha ai.
Shtetet e Bashkuara thonë se synimi kryesor i operacioneve është dobësimi në mënyrë sistematike i kapaciteteve detare dhe ushtarake të Iranit në zonën e Ngushticës së Hormuzit – një korridor jetik për transportin global të energjisë, të cilin Teherani e ka bllokuar në përgjigje ndaj luftës.
Uashingtoni këmbëngul se sulmet drejtohen ndaj objektivave ushtarake që, sipas tij, përdoren për të kërcënuar lundrimin në Ngushticë.
Por, përplasjet kanë shtuar frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme./abcnews.al



