Arrestohen dy persona, përshkallëzohet protesta te Unaza e Re

schedule18:16 - 29 Nëntor, 2018

schedule 18:16 - 29 Nëntor, 2018

Pasditen e së enjtes banorët e zonës së “Astirit” në kryeqytet dolën për të 26-n ditë në protestë. Në mbështetje të tyre ishin edhe përfaqësues të opozitës, të cilët reaguan në lidhje me arrestimin e dy protestuesve dhe procedimin e 20 të tjerëve.

Banorët e “Astirit” vijojnë protestën e tyre prej 26 ditësh, ku edhe gjatë pasditës së të enjtes rreth orës 17:00 janë mbledhur sërish duke bllokuar trafikun për rreth 1 orë. Në mbështetje të tyre kanë qenë edhe disa nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët kanë denoncuar për arrestimin e disa protestuesve nga policia. Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, deklaroi për mediat se me këto arrestime qeveria kërkon t’u bëje presion banorëve të “Astirit”.

“Policia e Shtetit nën urdhërat e Edvin Kristaq Ramës, ka nxjerrë fletë arestin për Kujtim Yllin, një burrë të moshuar reth 70 vjeç të cilët këta sot padrejtësisht e kanë lënë Kujtimin në qelitë e rajonit nr 2. Këto arrestime bëhen vetëm për një arsye, për të trembur qytetarët e Unazës së Re, për t’i bërë bërë presion atyre dhe familjarëve të tyre që ata të mos dalin të protestojnë për shtëpitë e tyre. Nuk ia kanë arritur dhe nuk do tia arrijnë sepse për çdo banor të kësaj unaze që ata do të arrestojnë, 1 mijë të tjerë do të shtohen”, u shpreh Balliu.

“I bëj thirrje Erjon Veliajt që të mos bëjë budallallëqe dhe të marrë ata policat që turp t’iu vijë. I bëj thirrje Edi Ramës mos të bjerë pre e këtyre kalamaqërve. Edi Rama është i mençur dhe unë kam besim te ai sepse nuk mund të merret me këta Gjiknurat se nuk e kam për kulturë të ofendoj”, tha një banor.

Banorët e zonës së “Astirit”, të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe kanë deklaruar se protestat e tyre do të vijojnë, madje edhe do përshkallëzohen nëse qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre për dëmshpërblimin e banesave dhe bizneseve të tyre konform ligjit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!