Unaza e Re, refuzohen grupet e ARRSH për vlerësimin e objekteve

schedule14:26 - 26 Nëntor, 2018

schedule 14:26 - 26 Nëntor, 2018

Sot nisi procesi i vlerësimit të objekteve, që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe në Tiranë. Shumë nga banorët nuk kanë lejuar grupet e punës të kryejnë verifikimet në banesat e tyre. ARRSH njoftoi se janë verifikuar vetëm 17 objekte.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Bashkisë dhe Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale zbritën në terren për të vlerësuar ndërtimet që preken nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës, por në këtë objekt nuk arritën të mbyllin punë. Banorë të zonës nuk i lejuan të përfundojnë procesin. Ata shprehen se nuk do të lejojnë shembjen e shtëpive të tyre pa i dëmshpërblyer fillimisht me vlerën e tregut. Për të vijuar punën, grupet e punës kërkuan ndihmën e policisë, por me gjithë praninë e uniformave blu ata nuk mundën ta çonin më tej vlerësimin e banesave. Tensioni shoqëroi edhe heqjen e shtyllave të ndriçimit në këtë zonë.

Teksa banorët në ditën e 23 të protestës kërkojnë me ngulm tërheqjen e qeverisë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp ku thotë se inxhinieritë kanë shkuar në ato objekte pronarët e të cilëve kanë kërkuar pranë këtij institucioni të vijohet me procedurë e shpronësimit, por banorë që nuk kanë lidhje me ndërtesat kanë penguar grupet e punës në kryerjen e detyrës. Në segmentin rrugor pallati me shigjeta deri tek sheshi “Shqiponja”, sipas Autoriteti Rrugor Shqiptar u verifikuan 17 objekte ose 31 % e atyre që aktualisht kanë depozituar dokumentat e pronësisë. Procesi do të vijojë ditët e ardhshme me qëllim përgatitjen e vendimit të Këshillit të Ministrave për të procedurat e shpronësimit./abcnews.al