Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se po legjitimon përmes buxhetit 2019 vjedhjen e arkës së shtetit përmes parashikimit në rritje të kontratave të partneritetit publik privat, pagesa për të cilat bëhet nga buxheti i shtetit dhe i kushton çdo qytetari nga 730 euro në vit.
Jorida Tabaku, opozitarizmin ndaj projektbuxhetit për vitin e ardhshëm e artikuloi, jo nga karrigia e zëvendës kryetares së komisionit të ekonomisë, por nga selia e Partisë Demokratike. Nga foltorja blu Tabaku kërkoi t’i japë përgjigje pyetjes së relatores Evis Kushi lënë jetime nga ministri Ahmetaj, gjatë diskutimit në parim të borxhit publik të projektbuxhetit 2019.
Evis Kushi, deputete PS: “PPP a janë llogaritur në borxh dhe nëse jo sa do të shkonte borxhi publik”.
Jorida Tabaku, deputete PD: “Borxhi publik nga 72 në 85% me këto kontrata. Janë 2.1 miliardë dollarë për 14 kontrata PPP – klientele e qeverise. Gjoba vjetore 105 milionë euro në 2019, te gjitha para qe do të paguhen nga xhepat e shqiptareve”.
Për Tabakun metoda që përdor qeveria, e shpikur sipas saj dhe e bekuar me emrin gjoja perëndimor të Partneritetit Publik Privat, i ka kushtuar derimë tani shqiptarëve 2.2 miliardë euro.
“Një shifër që është e barabartë me 31% të produktit të brendshëm bruto. Çdo shqiptar, që nga fëmija i sapolindur tek më i moshuari do të paguajë këtë vit 730 euro”.
Këtë kosto vjetore prej 730 eurosh e paguajnë çdo qytetar shqiptar, nga ata që për 6 vjet janë varfëruar nga taksat e larta dhe jetesa e shtrenjtë, të papunët, ata të cilët nuk mbyllin dot muajin derisa t’i bashkohen 40% që është larguar nga vendi, sipas Tabakut.
“Sipas të dhënave të vetë buxhetit të shtetit, projekti i hajdutërisë “1 mld euro” është vlerësuar me rritje në çdo PPP që qeveria ka programuar apo ia ka dhënë ndonjë prej oligarkëve. Ky buxhet i cili parashikon rritjen e kostos për 1 kilometër rrugë nga 1 mln euro në 11 milionë euro është dëshmia më e qartë e asaj vjedhje tanimë të ligjëruar me Ligjin e Buxhetit që kjo mazhorancë do të kryejë vitin e ardhshëm”.
Kush e voton ktë buxhet sipas demokratëve, faktikisht voton pro interesit të oligarkëve dhe një pakice që skllavëron shqiptarët duke vjelë xhepat e tyre dhe shpërdoruar buxhetin dhe arkën e parave publike./abcnews.al