Trupa gjykuese e dosjes së grupit të Emiliano Shullazit në Gjykatën e Krimeve të Rënda pritet të shpallë vendimin për 5 të pandehurit. Sot në këtë proces u dëgjua fjala e palës mbrojtëse të 4 të pandehurve Endri Zela, Endrit Qyqja, Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani. Të pandehurit nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, por përfaqësohen me avokatët e tyre. Në seancën e kaluar u paraqit mbrojtja e Emiliano Shullazit. Avokati i tij Vladimir Meçi kërkoi pafajësi për klientin e tij.
Pasi u dëgjuan konkluzionet e mbrojtjes së 4 të pandehurve, trupa gjykuese është tërhequr për vendim. Grupi i Emiliano Shullazit akuzohet për krijim grupi të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar në total për 5 të pandehurit dënimin me 64 vjet heqje lirie. Për Emiliano Shullazin, prokuroria ka kërkuar 17 vjet burg./abcnews.al