Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, në një intervistë për emisionin “War Report” në ABC News, komentoi zhvillimet e fundit në luftën në Ukrainë, duke u ndalur te informacionet e inteligjencës amerikane për raketat balistike ruse dhe kapacitetet mbrojtëse të Kievit.
Krisafi analizoi gjithashtu qëndrimin e Donald Trump ndaj Volodymyr Zelenskyt, duke argumentuar se presidenti amerikan po i rikthehet strategjisë së fushatës së vitit 2024, në përpjekje për të rikuperuar mbështetjen e një pjese të elektoratit të tij.
“Është këtu çështja e inteligjencës, e cila është paksa e dyshimtë në këtë rast, sepse dje në darkë po shihja sulmin që po kryente Rusia ndaj Ukrainës. Radarët që ndodhen në Gjermani dhe në disa pjesë të Polonisë po kapnin raketat balistike. Pra, informacioni i ishte dhënë Ukrainës. Nuk është se nuk i ishte dhënë. Por Ukraina, të paktën dje në darkë, kishte një problem më të madh sesa radarët. Gjatë gjithë sulmit që kreu Rusia, nuk u përdor asnjë raketë Patriot. Pra, nuk pati asnjë përpjekje për të goditur raketat. A nuk kanë më raketa Patriot, apo numri i tyre është jashtëzakonisht i ulët? Disa ditë më parë, nëse nuk gaboj, pati një shkrim në The Wall Street Journal, ku thuhej se numri i raketave ishte në dhjetëra. Pra, bëhet fjalë për rreth 30-40 raketa, diçka e tillë. Numri shumë i vogël i raketave Patriot ishte një nga arsyet pse sulmi i djeshëm i Rusisë ishte jashtëzakonisht i fuqishëm dhe pati shumë viktima. Ukraina nuk përdori asnjë raketë Patriot në atë rast. Sa i përket inteligjencës, një gjë është e sigurt: radarët në Gjermani dhe në Poloni arritën të kapnin raketat balistike ruse në momentin kur u lëshuan nga Rusia, siç ndodh zakonisht në raste të tilla. Ky informacion iu dha Ukrainës. Kam përshtypjen se Ukraina, pikërisht sepse nuk kishte mundësi, ose, për të mos thënë se nuk kishte raketa Patriot, po përpiqet ta justifikojë situatën me çështjen e raketave balistike.
Fakti është se ka një ndryshim shumë të madh në marrëdhëniet e Donald Trump me Zelenskyn dhe me Putinin. Nuk besoj se kjo është një nga ato periudhat e tij të urrejtjes apo të mosdashjes ndaj Zelenskyt, që Trumpit i vijnë herë pas here, sepse mënyra se si po flet me Putinin duket se tregon një lloj dyshimi. Ai po përpiqet, si të thuash, ta vendosë Zelenskyn përpara një fakti të kryer.
Sot ose dje, nëse nuk gaboj, Donald Trump publikoi një shkrim shumë të gjatë në rrjetin e tij social, ku, në thelb, paraqitej Zelensky si personi që nuk kishte dashur ta përfundonte luftën.
Trump po përpiqet të gjejë një fajtor përpara betejës elektorale dhe këtë faj ka vendosur t’ia lërë Zelenskyt, kështu po thua, apo jo?
Mendoj se Trump po përpiqet më shumë të shpëtojë veten në këtë pikë. Pra, po i rikthehet në njëfarë mënyre strategjisë së fushatës së vitit 2024. Strategjia e asaj fushate ishte se në Kiev kishte një aktor që na kishte vjedhur paratë. Praktikisht, sipas tij, Zelensky ia kishte vjedhur paratë Joe Bidenit.
Tani po zhvillon sërish një fushatë të tillë, pikërisht për të rikthyer atë grup elektoral që, siç duket, i është larguar gjatë kësaj kohe për shkak të luftës në Irak, ndërhyrjes në Venezuelë dhe faktit që po ndjek një politikë të jashtme shumë të ngjashme me atë të George W. Bushit, i cili ndërhynte në vende të caktuara.
Ai po i rikthehet sërish narrativës se aktori në Kiev na ka vjedhur paratë, vazhdon të na i vjedhë dhe është personi që nuk dëshiron përfundimin e luftës.
Pra, kam përshtypjen se po përpiqet më shumë të shpëtojë veten, ashtu siç u përpoq të shpëtonte veten nga marrëveshja e naftës me Putinin, në përpjekje për të ulur çmimin e naftës në Shtetet e Bashkuara. Në këtë mënyrë, ai po përpiqet të rikthejë në gjirin e vet atë grup votuesish që janë shumë të bindur dhe që duket se janë larguar gjatë kësaj periudhe, duke përdorur sërish të njëjtën strategji që ndoqi në vitin 2024.”, tha ai.


